Protestat dhe bllokimi i Kuvendit nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë për rritjen e pagës minimale kanë trazuar edhe skenën politike. Kryeministri Hristijan Mickoski sheh prapavijë politike pas protestave dhe thotë se nuk mbështesin udhëheqës të vetëshpallur të instruktuar politikisht.

“Kjo do të vazhdojë, sepse kjo ka prapavijë politike. Njëri nga protestuesit e sotëm mbajti konferencë për shtyp me mua, në një gjendje të dukshme euforie, i kënaqur me atë që arritëm. Sot e shihni, bllokon bashkë me një tjetër që thirret në të drejtat e punëtorëve, ndërsa abuzon me automjetet zyrtare për qëllime private dhe shumë gjëra të tjera. Mendoj se në periudhën që vjen, edhe punëtorët do të jenë dëshmitarë se kush i udhëheq dhe kush i manipulon në këto procese të instruktuara politikisht”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.

Mickoski tha se Qeveria, si punëdhënës, i ka përmbushur obligimet e saj për pagat e administratës dhe përsëriti se do të mbështesin çdo zgjidhje që do të harmonizohet mes punëtorëve dhe punëdhënësve.

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, nga ana tjetër doli me mbështetje për kërkesat sindikale për rritjen e pagës minimale në 600 euro. Partia sot sërish dorëzoi propozim-ligjin për ndryshimin e Ligjit për pagën minimale, pasi më herët ishte kthyer nga kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, për, siç kishte theksuar, mangësi teknike.

“Japim mbështetje maksimale për kërkesat e Lidhjes së Sindikatave. Mendojmë se paga minimale prej 600 euro është diçka që punëtorët e meritojnë dhe që u nevojitet për një jetë dinjitoze. Në një periudhë kur shporta sindikale i kalon 65–66 mijë denarë, kur një e treta e shpenzimeve shkon për ushqim dhe pije, dhe përveç kësaj ka edhe shpenzime të tjera, pajisje shkollore për fëmijët e kështu me radhë, punëtorët meritojnë një jetë dinjitoze”, u shpreh Venko Filipçe – kryetar i LSDM-së.

Sipas Filipçes, paratë mund të sigurohen përmes shkurtimit të shpenzimeve buxhetore për udhëtime dhe përfaqësim. Me to mund të subvencionohen kontributet, që të mos cenohet likuiditeti i biznesit.