Madridi pritet të bëhet një nga qytetet e para evropiane që do të ketë taksi pa shofer në funksion, pasi Uberi ka njoftuar se do të vendosë automjete autonome në kryeqytetin spanjoll deri në fund të vitit 2026, raportoi të mërkurën “Euronews”.

Kompania ka bërë të ditur se tashmë është në bisedime me autoritetet e Madridit për të përcaktuar kornizën rregullatore dhe operacionale të shërbimit. Synimi është që përdoruesit të mund të porosisin një veturë vetëdrejtuese përmes aplikacionit, pa praninë e një shoferi në timon.

Të ashtuquajturat “robotaksi” tashmë operojnë në disa qytete të botës, por ardhja e tyre në Madrid përbën një hap të rëndësishëm për tregun spanjoll.

Automjetet do të pajisen me sensorë, kamera dhe radarë që analizojnë mjedisin në kohë reale, duke identifikuar këmbësorët dhe duke reaguar ndaj situatave të papritura përmes sistemeve të inteligjencës artificiale.

Uber ende nuk ka sqaruar se në cilat zona të qytetit do të nisë fillimisht shërbimi. Megjithatë, kompania ka theksuar se implementimi do të jetë gradual dhe nën mbikëqyrje të plotë.

Përveç Madridit, Uber ka paralajmëruar vendosjen e robotaksive edhe në Londër dhe Los Angeles.

The post Taksi pa shofer në rrugët e Spanjës, Uberi njofton planin për vitin 2026 appeared first on Alsat.