Një nga momentet më të papritura të performancës së këngëtarit nga Puerto Rico, Bad Bunny në spektaklin e pauzës ndërmjet dy pjesëve të lojës së futbollit amerikan, “SuperBowl” ishte zgjedhja e tij për të veshur jo një, por dy veshje nga brendi spanjoll “Zara”.
“SuperBowl” është ngjarja më e ndjekur në televizionin amerikan dhe spektakli 13-minutësh i pauzës ndërmjet dy pjesëve të lojës është po aq moment marketingu sa edhe muzikor.
The Guardian ka shkruar se që nga zbulimi i shtatzënisë së këngëtares Rihanna deri te xhinset ikonike të reperit Kendrick Lamar, kjo skenë është kthyer shpesh në një paradë mode luksoze.
Bad Bunny, një nga artistët më të mëdhenj në botë dhe artisti më i dëgjuar në platformën Spotify për vitin 2025, është i njohur për lidhjen e tij me botën e modës.
Ai ka qenë fytyra e kampanjave të marketingut për brende gjigande si “Calvin Klein” dhe “Jacquemus”, ndërsa në spektaklin e ndarjes së çmimeve “Grammy” më 1 shkurt u shfaq me një kostum të zi prej kadifeje nga brendi “Schiaparelli”, i formësuar si orë rëre me detaje ari në shpinë.
Por në Super Bowl ai bëri diçka ndryshe.
Në vend të një shtëpie luksoze mode, ai zgjodhi brendin e veshjeve të përditshme “Zara”, që njihet për interpretimet e përballueshme të trendeve të pasarelave.
Zara është simbol i elegancës “me çmim të përballueshëm (ani pse shpesh kritikohet për qëndrueshmërinë), dhe është i qasshëm për pothuajse të gjithë”.
Veshja e parë përfshinte një këmishë me jakë dhe kravatë, pantallona të shkurtra bezhë, atlete nga brendi “Adidas” dhe një fanellë të shkurtër futbolli amerikan me mbishkrimin “Ocasio” në pjesën e pasme, pjesë e emrit të tij të plotë, Benito Antonio Martínez Ocasio.
Ai u shfaq në skenë mes një fushe me kallam sheqeri, i rrethuar nga valltarë me kapele tradicionale të jíbaros, fermerëve ruralë të Porto Rikos, dhe mbante edhe një rrip litari në stil jíbaro.
Numri 64 në fanellë shkaktoi shumë spekulime në rrjet, por sipas revistës Complex, ai ishte viti i lindjes së dajës së tij të ndjerë.
Ocasio është mbiemri i nënës së Bad Bunnyt. Sipas raportimeve, me mbishkrimin në fanellë, ai ka dashur të nderojë figurën e dajës së ndjerë, të cilit i kishte thënë se do ta çonte njëherë në “SuperBowl” por nuk e bëri pasi ai vdiq papritmas.
Vetëm në mes të performancës, kur u rikthye në skenë për një duet me Lady Gagan, me një kostum bezhë me supe të theksuara dhe kravatë, “Zara” konfirmoi se kishte realizuar të dyja veshjet.
Bad Bunny dhe Lady Gaga gjatë perfromancës në “SuperBowl”. Fotografi nga agjencia Associated Press
Ato ishin të personalizuara, të stilizuara nga Storm Pablo dhe Marvin Douglas Linares.
Një kostum “Zara” në dyqan kushton rreth 287 euro.
“Kostumi ende përçon autoritet, por autoriteti vjen nga pozicioni kulturor i Bad Bunnyt, jo nga vula e një shtëpie luksoze”, ka thënë Andrew Groves, profesor i dizajnit të modës në Universitetin e Westminsterit në Londër.
Ai shtoi se, ndonëse nuk ishte një “zoot suit” (kostumi me forma të gjera që në vitet ’30 dhe ’40 u bë simbol rebelimi për komunitetet afro-amerikane dhe latine), silueta përdorte të njëjtën logjikë proporcionale.
“Volumi i theksuar është një mënyrë që komunitetet afro-amerikane dhe latine të zënë hapësirë publike kur dukshmëria e tyre ka qenë e kontrolluar. Në një skenë stadiumi, kjo lexohet si prani e kontrolluar, jo si dekor. ‘Zara’ në skenën e ‘SuperBowlit’ është një deklaratë për zhvendosjen e pushtetit”, ka thënë profesori.
Kostumi madje u krahasua edhe me pikturën anti-luftë të Francisco Goyas “3 Maji 1808”, ku një civil spanjoll me këmishë të bardhë përballet me një skuadër franceze të pushkatimit.
Referencat kulturore ishin të shumta.
Këngëtarja Lady Gaga veshi një fustan të kaltër të hapur me pala dhe një brosh me lulen “flor de maga”, lulja kombëtare e Porto Rikos, nga brendi “Luar” i disenjatorit dominikano-amerikan Raul Lopez.
Valltarët mbanin veshje të punuara nga brendi “Yo+” i disenjatores portorikane Jomary Segarra, ndërsa skenografia përfshinte një “casita” (shtëpi) rozë, të frymëzuar nga shtëpitë shumëngjyrëshe të ishullit.
“SuperBowl” ka qenë gjithmonë një spektakël mode, por herë pas here hyn edhe në territor politik.
Performanca e yllit Beyoncé në vitin 2016 me referenca ndaj “BlackPanther” bëri bujë globale.
Beyoncé and Bruno Mars join Coldplay and have a dance-off during the Super Bowl 50 Halftime Show. Subscribe to the NFL YouTube channel to see immediate in-game highlights from your favorite teams and players, daily fantasy football updates, all your favorite NFL Network podcasts, and more!
Pas deklaratës “ICE out” në “Grammy”, që është kundër autoriteve të imigracionit , pati spekulime se Bad Bunny mund të bënte një tjetër mesazh politik.
Ai nuk mbajti asnjë simbol të tillë. Në vend të kësaj, zgjodhi të veshë diçka që fansat e tij mund ta përballojnë financiarisht.
The post Pse Bad Bunny u vesh me “Zara” në “SuperBowl”? appeared first on Alsat.
