Deputetja e zgjedhur nga koalicioni “Lëvizja Vetëvendosje”, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se sot pret konstituim të Kuvendit dhe formim të qeverisë.
Ajo, para nisjes së seancës konstituive, konfirmoi se Albulena Haxhiu do të propozohet për kryetare të Kuvendit. Ndërkaq, tha se vetë do të jetë pjesë e kabinetit qeveritar të ardhshëm si ministre e Tregtisë.
“Ka gjasa që sot të jenë dy seanca. Njëra që fillon në orën 17:00 që ka të bëjë me organet e Kuvendit dhe tjetra, varësisht sa do të zgjasë kjo e para, që nuk besoj shumë. Është për t’u përshëndetur qasja bashkëpunuese e të gjitha grupeve në Kuvend në ditën e djeshme, ku ka pasur dakordim prej kërkesës për ndërrim të orarit dhe procesin e votimit. Jam optimiste se nuk do të ketë vonesa ose befasi dhe çështje të paplanifikuara”, tha ajo.
E pyetur pse ndryshoi qëndrimin Lëvizja Vetëvendosje për votimin në pako të nënkryetarëve të Kuvendit, rrjedhimisht edhe votimin e propozimit nga Lista Serbe, ajo tha se qëndrimi politik karshi këtij subjekti politik nuk ka ndryshuar.
Mirëpo, është e rëndësishme mbarëvajtja e jetës institucionale.
“Qëndrimi ynë politik mbetet i pandryshuar. Asgjë në raport me qasjen dhe mosbesimin që e kemi me çfarëdo komunikimi apo bashkëpunimi me këtë grup politik që deri tani ka shfaqur vetëm kundërshti me interesin e Kosovës. Interesi i Kosovës është mbi të gjitha dhe ajo që duhet të ndodhë sot është të ruhet mbarëvajtja e jetës institucionale dhe interesat e mijëra punëtorëve që janë në shërbim të vendit në sektorin publik dhe privat”, tha ajo.
Derisa bëri të ditur pozicionin e saj në kabinetin e ardhshëm qeveritar si dhe të propozuarën e LVV-së për kryetare të Kuvendit.
“Besoj se edhe e propozuara dhe kryetarja e KuvenditDeri në këto momente nuk do të ndryshohet”, tha ajo.
