Pushteti e ka finalizuar Ligjin për Qeverinë, i cili duhet të gjendet para deputetëve gjatë javës së ardhshme. Ndryshimet e ligjit, me të cilat ndër të tjera insistohet në shfuqizimin e qeverisë teknike, javën e kaluar iu prezantuan koordinatorëve të grupeve parlamentare nga ministri i Administratës Publike, Goran Minçev. Për këtë zgjidhje ligjore ka pasur vërejtje. Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE përsëriti se për zgjedhjet e ardhshme do të ketë qeveri teknike me ndryshimin e ministrive, por pas zgjedhjeve ajo të shfuqizohet. Ai pret që ta votojë edhe opozita.

“Le të arrijë fillimisht ligji në Kuvend, pastaj do të shohim nëse nuk do ta votojnë. Sepse ashtu janë deklaruar edhe më herët për disa çështje, për disa ligje, se do të votojnë e nuk do të votojnë, se nuk do të votojnë e pastaj do të votojnë. Le të arrijë, pastaj do të shohim cili do të jetë qëndrimi i tyre. Japim mundësi demokratike, le të vlejë qeveria teknike tani, le të fitojnë në zgjedhje, pastaj le të vendosin vetë çfarë do të bëjnë”, theksoi Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE.

Por, nga LSDM mbeten në qëndrimin e tyre se qeveria teknike, e cila është miratuar me konsensus dhe me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare, duhet të mbetet. Koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Oliver Spasovski, në një deklaratë për TV21 tha se do të presin që pushteti ta dorëzojë ligjin, e pastaj do të shprehen se si do të votojnë.

“Kjo është në ligj, megjithatë ne jemi kundër dhe konsiderojmë se duhet të mbetet qeveria teknike e cila është miratuar me konsensus të të gjitha partive politike me garanci të Bashkimit Evropian dhe SHBA-së. Le ta dorëzojnë atë ligj, pastaj të shohim çfarë do të dorëzojnë. Ka në të ndonjë tekst, ne japim vërejtje, pastaj në fund do të shohim çfarë do të bëjnë”, u shpreh Oliver Spasovski nga LSDM.

Qeveria e fundit teknike duhet të zgjidhet për zgjedhjet e ardhshme, të cilat nëse mbahen të rregullta do të zhvillohen në vitin 2028. Që kur u dakordua në vitin 2016, deri më tani ka pasur 3 qeveri teknike, të udhëhequra nga Emil Dimitriev, Oliver Spasovski dhe Talat Xhaferi.