Gazetar: Bashkim Sulejmani
Lëvizja Besa, në Kuvendin qendror të partisë do të diskutojë për llogaridhënien e funksionarëve të saj por edhe ndryshimet eventuale brenda partisë së Bilall Kasamit. Ky i fundit sot nuk dha aspak detaje të tjera, përveç atyre që tashmë janë diskutuar në media.
“Atë që pata për ta thënë mbrëmë në emision e thash. Në mbrëmje do kemi vendim të kryesisë dhe do flasim për veprimet tona, dhe për llogaridhënien e funksionarëve tanë në Qeveri”, tha Bilall Kasami, Kryetar i Lëvizjes “BESA”.
Kryesia pritet ta vendosë theksin te ministri Fatmir Limani i cili erdhi në këtë pozitë si ministër i VLEN-it nga radhët e Besës por prej kohësh flitet për veprimtari të ndarë politike. Kasami më herët ka refuzuar vazhdimisht të flasë për këtë përplasje por një natë më parë tha se Limani duhet të paraqitet në mbledhjen e partisë për të sqaruar se ku ka ngecur puna në dikasterin që ai drejton. Ndërkohë, sonte nuk përjashtohet mundësia që në këtë takim partiak, ai të shkarkohet nga funksionet partiake.
Paralelisht, Kasami kishte thënë se shkarkimi do të pasojë për të gjithë funksionarët nga radhët e partisë së tij, që nuk kanë treguar rezultate në punë siç ishte rasti me shkarkimin e mëhershëm të Sedat Rushanit, nga Byroja për Metrologji. Rushani përgënjeshtroi shpejt Kasamin. Ai tha se ai ishte shkarkuar për shkak se kishte refuzuar të bënte pazare dhe korrupsion.
“Apo arsyeja e vërtetë është se nuk kam pranuar pazare, korrupsion dhe nënshtrim, dhe kjo nuk i ka pëlqyer lidershipit? Nëse nuk e di ose bën sikur nuk e di, le ta pyesë Adnan Azizin, shefin e tij, i cili e di shumë mirë se si janë marrë vendimet dhe kush ka shtyrë për këtë shkarkim”, deklaroi Rushani. /Alsat.mk
The post Besa mbledh Kuvendin Qendror, do të shqyrtoj punën e funksionarëve të saj appeared first on Alsat.
