Ramush Haradinaj ka njoftuar dorëheqjen nga posti i kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), duke bërë të ditur se nuk do të rikandidojë për këtë pozitë në Kuvendin e ardhshëm të partisë.
Në një konferencë për media, Haradinaj theksoi se procesi zgjedhor brenda AAK-së do të nisë më 20 shkurt, ndërsa vendimi i tij për të mos garuar sërish për kryetar përbën një risi në skenën e brendshme të partisë. Ai përmendi si arsye kohën e gjatë në krye të subjektit, rezultatin zgjedhor, si dhe besimin që ka në kuadrin dhe strukturat e Aleancës për të udhëhequr tutje partinë.
Haradinaj u shpreh se ky është një hap që i hap rrugë një faze të re brenda AAK-së, duke theksuar gatishmërinë për t’i dhënë hapësirë lidershipit të ri.
