Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka rikonfirmuar se mbetet i hapur për arritjen e një marrëveshjeje me Iranin, duke paralajmëruar se zhvillimet mund të konkretizohen brenda një periudhe shumë të shkurtër.

Në një deklaratë për media, Trump theksoi se synimi i tij është arritja e një marrëveshjeje për të shmangur përshkallëzimin e situatës.

“Duhet të bëjmë një marrëveshje, përndryshe do të jetë shumë traumatike”, u shpreh ai.

I pyetur nëse ekziston një afat konkret për arritjen e marrëveshjes me Teheranin, presidenti amerikan tha se procesi mund të përfundojë së shpejti.

“Mendoj muajin tjetër ose diçka e tillë. Do të ndodhë shumë shpejt. Do të flas me iranianët për aq kohë sa të dua”, deklaroi Trump.

Ai paralajmëroi se në rast të dështimit të negociatave, do të pasojë një “fazë e dytë”, e cila sipas tij do të ishte shumë e vështirë për Iranin.

“Faza e dytë do të jetë shumë e vështirë për ta dhe unë nuk e dua këtë. Nuk është shumë e drejtë dhe shumë e mirë, por do të jetë shumë e vështirë për Iranin”, theksoi Trump, duke lënë të kuptohet se opsionet e tjera, përfshirë edhe ndërhyrjen ushtarake, mbeten në tavolinë.