Rikonstruim qeveritar në maj, Sali shuan zërat për zgjedhje të parakohshme

Rikonstruim qeveritar në maj, Sali shuan zërat për zgjedhje të parakohshme

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, gjatë një interviste në emisionin “Triling” në TV24 ka trajtuar një sërë çështjesh politike dhe institucionale, duke u fokusuar te përdorimi i gjuhës shqipe, integrimi evropian, dinamika brenda qeverisë dhe zhvillimet politike aktuale.

Duke folur për problemet lidhur me dhënien e provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe, Sali theksoi se është e pakuptimtë që shteti të akreditojë dhe financojë studimet, por më pas të kufizojë të drejtën e studentëve për të dhënë provimin në gjuhën në të cilën kanë studiuar.

“Ne i kemi 35 vite shtet… logjika duhet të vendoset para pengesave juridike dhe administrative që pamundësojnë shfrytëzimin e një të drejte bazike”, deklaroi ai, duke shtuar se politikanët duhet të gjejnë zgjidhje për qytetarët.

Sali u ndal edhe te çështja e implementimit të gjuhës shqipe në praktikë, duke përmendur shembuj konkretë të mbishkrimeve rrugore dhe dallimeve në përdorimin e gjuhës në zona të ndryshme. Sipas tij, këto situata tregojnë një qasje të panevojshme burokratike ndaj të drejtave gjuhësore.

“Pas 35 viteve pavarësi, a duhet ende të flasim në cilën gjuhë dikush do të japë provimin? Është e panevojshme të komplikohen gjërat që janë të drejta bazike të qytetarëve”, tha ai.

Në aspektin e integrimit evropian, zëvendëskryeministri vlerësoi se procesi është intensifikuar si nga ana e institucioneve vendore ashtu edhe nga Bashkimi Evropian.

“Ne po shohim intensitet të shtuar në përafrimin e ligjeve dhe deklarata të qarta mbështetjeje nga Brukseli për integrimin e vendit dhe të Ballkanit Perëndimor”, theksoi Sali.

Ai komentoi gjithashtu raportet brenda skenës politike, duke theksuar se çështjet partiake duhet të zgjidhen brenda strukturave përkatëse dhe jo përmes debatit publik. Sa i përket stabilitetit qeveritar, Sali hodhi poshtë mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke paralajmëruar se më e mundshme është një rikonstruim i qeverisë.

“Nëse ka rikonstruim të qeverisë, pse të ketë zgjedhje të parakohshme? Në muajin maj pritet një revizion i funksionimit dhe realizimit të programit qeveritar”, deklaroi ai.