Sekretari Amerikan i Shtetit Mark Rubio dërgoi mesazhe të forta uniteti me Europën nga Konferenca e Sigurisë në Mynih. Ai deklaroi se nuk është qëllimi dhe as dëshira e amerikanëve fundi i epokës transatlantike, por se duan një Europë të fortë dhe të aftë për t’ju përgjigjur çdo sfide. Rubio iu drejtua Konferencës së Mynihut, një vit pasi zëvendëspresidenti amerikan Vense tronditi të njëjtin audiencë me një kritikë të ashpër ndaj vlerave evropiane.

“Ne kujdesemi thellësisht për të ardhmen tuaj dhe tonën, dhe nëse ndonjëherë nuk pajtohemi, mospajtimet tona burojnë nga ndjenja jonë e thellë e shqetësimit për një Evropë me të cilën jemi të lidhur jo vetëm ekonomikisht, jo vetëm ushtarakisht, por jemi të lidhur shpirtërisht dhe kulturorisht. Ne duam që Evropa të jetë e fortë. Ne besojmë se Evropa duhet të mbijetojë, sepse dy luftërat e mëdha të shekullit të kaluar shërbejnë për ne si një kujtesë e vazhdueshme e historisë se, në fund të fundit, fati ynë është dhe do të jetë gjithmonë i ndërthurur me tuajin”, tha Mark Rubio, Sekretar amerikan i shtetit.

Rubio po ashtu bëri thirrje për reforma, jo për zhbërje të institucioneve ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, të cilat, sipas tij, kanë “potencial të jashtëzakonshëm”, por nuk kanë arritur të zgjidhin konflikte si Ukraina dhe Gaza.

Sa i përket Ukrainës, Rubio tha se çështjet e nevojshme për t’i dhënë fund luftës janë “ngushtuar”, por tashmë kanë mbetur “pyetjet më të vështira për t’u zgjidhur”. Ai tha se Uashingtoni do të vazhdojë të testojë nëse Moska është serioze për negociata, duke mbajtur në fuqi sanksionet dhe mbështetjen ushtarake për Kievin. Një marrëveshje e drejtë dhe e qëndrueshme mbetet synimi, shtoi ai. /Alsat.mk

The post Rubio dërgoi mesazhe të forta uniteti me Europën nga Konferenca e Sigurisë në Mynih appeared first on Alsat.