Ekipi mbrojtës i Jakup Krasniqit do të vazhdojë sot me deklaratën përmbyllëse.
Mbrojtja e tij, e udhëhequr nga avokatja Venkateswari Alagendra ka nisur parashtrimet përfundimtare pasditen e së premtes, raporton KosovaPress.
Ajo ka thënë para trupit gjykues se klienti i saj po privohet padrejtësisht nga liria tash e pesë vjet.
Avokatja e Krasniqit tha se ekziston vetëm një opsion – që Krasniqi të shpallet i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës dhe të kthehet pranë familjes së tij.
Mbrojtja e Jakup Krasniqit ka një orë e gjysmë kohë për të përfunduar parashtrimet përfundimtare.
Pas kësaj, trupi gjykues për dy orë do të parashtrojë pyetje për palët. E më pas radhën e ka Zyra e Prokurorit të Specializuar për kundërpërgjigje.
Katërshja e UÇK-së do t’i drejtohet trupit gjykues të mërkurën me deklaratat përmbyllëse, secili nga 20 minuta.
Kjo shënon fazën përfundimtare të procesit më të madh gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West ka kërkuar dënim me burgim prej 45 vitesh, për secilin nga ish-krerët e UÇK-së.
Ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit kanë kërkuar që të njëjtit të shpallen të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Ata kanë deklaruar para trupit gjykues se nuk ka asnjë provë që argumenton pretendimet e ZPS-së për krime lufte.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.
Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.
The post Mbrojtja e Jakup Krasniqit vazhdon deklaratën përmbyllëse në Hagë appeared first on Alsat.
