Skuadra e FC Shkupit ka lënë pas humbjen e rëndë ndaj Tikveshit (0-6) dhe gjatë gjithë javës është përgatitur intensivisht për sfidën e radhës. Ekipi nga Çairi do të jetë mysafir i Maqedonia Gjorçe Petrovit, me besimin se mund të tregojë një lojë cilësore në fushën e blertë.

“Kemi punuar shumë gjatë gjithë javës dhe kemi analizuar në detaje ekipin e Maqedonia Gjorçe Petrovit. Jemi të vetëdijshëm se ata janë favoritë dhe kemi respekt maksimal për kundërshtarin, por nuk do të dorëzohemi. Do të luftojmë gjatë të gjitha 90 minutave, ashtu siç kemi bërë edhe në të kaluarën,” tha në fillim Alisa Vishi, trajneri i FC Shkupit.

Trajneri i ri konfirmoi gjithashtu se është formuar stafi i ri teknik, i cili do të udhëheqë futbollistët e rinj në sfidat e Ligës së Parë të Maqedonisë.

“Ne jemi një ekip i ri, me udhëheqësi të re dhe me një staf teknik shumë cilësor dhe me përvojë. Së bashku me Bujamin Asanin, asistentin e parë Sedat Berishën dhe Jeton Abazin, po japim maksimumin në punën tonë të përditshme. Pavarësisht situatës aktuale në klub, do të luftojmë deri në fund, sepse kam besim maksimal te lojtarët e mi,” shtoi Vishi.

Përballja në mes Makadonija Gj.P. dhe Fc Shkupit do të zhvillohet në stadiumin në lagjen e Gjorçe Petrovit, në orën 13.00.

 

The post Vishi: Respekt maksimal për Makedonija Gj.P., ne do të luftojmë deri në fund appeared first on Alsat.