Sipas La Stampa, prezervativët falas për sportistët në Lojërat Olimpike Dimërore janë shterur brenda një rekordi prej vetëm tre ditësh, transmeton The Guardian.
“Stoku u shter vetëm brenda tre ditësh,” tha një sportist anonim për gazetën italiane. “Na premtuan se do të vijnë më shumë, por kush e di kur.”
Gazeta fajëson organizatorët olimpikë, duke thënë se nuk kanë qenë “veçanërisht bujarë me numrat”.
“Në Paris sportistët morën 300,000 prezervativë – dy për ditë secili – por numrat për këto Lojëra Dimërore ishin dukshëm më të ulët: jo më shumë se 10,000,” raporton La Stampa.
Pak më pak se 3,000 sportistë po garojnë në Lojërat Olimpike Dimërore, krahasuar me rreth 10,500 në Lojërat e Parisit dy vjet më parë.
Së fundmi, guvernatori i rajonit Lombardia, Attilio Fontana, theksoi se kjo temë nuk duhet të jetë arsye turpi.
“Po, ne ofrojmë prezervativë falas për sportistët në fshatin olimpik,” tha ai në një postim në rrjetet sociale.
“Nëse kjo u duket e çuditshme disa të tjerëve, ata nuk e dinë për këtë praktikë të vendosur olimpike. Ajo filloi në Seul 1988 për të rritur ndërgjegjësimin te sportistët dhe të rinjtë mbi parandalimin e sëmundjeve të transmetueshme seksualisht – një temë që nuk duhet të sjellë turp.”
Fontana gjithashtu ndau një postim në Instagram nga skaterja spanjolle Olivia Smart, ku tregonte për ndjekësit e saj prezervativët me logon e verdhë të Rajonit Lombardia. “I gjeta,” thotë ajo në videon që është bërë virale. “Kanë gjithçka që ju nevojitet.”
Në fshatin olimpik ka shumë aktivitete për sportistët, duke përfshirë një palestër të madhe, lojëra si futboll tavoline dhe air hockey, madje edhe piano. Gjithashtu ka makina për pije falas, të mbushura me Coca-Cola dhe smoothies të markës Innocent.
