Në Gjykatën Themelore në Tetovë vazhdoi gjykimi për keqpërdorimet gjatë ndërtimit të teatrit dhe bibliotekës së re në Tetovë, përcjell TV21. Sot u dëgjuan ekspertët e propozuar nga Prokuroria, të cilët përgatitën gjetjet dhe mendim për pjesën ekonomike dhe ndërtimore të ndërtimit të teatrit dhe bibliotekës së re në Tetovë.

Ekspertiza është bërë me kërkesë të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.Në pjesën ekonomike, ekspertët Gordana Angjellkovska dhe Kire Kostov deklaruan se në tërësi qëndrojnë pas asaj që kanë paraqitur në Gjetjen dhe Mendimin e përfshirë në raport.

Sipas tyre, gjatë ndërtimit të objektit, në aspektin ekonomik, ka pasur tejkalime në mënyrën dhe shumën e pagesave, të lidhura me përllogaritjen e TVSH-së. Gjithashtu, me kërkesë të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, është përgatitur ekspertizë edhe për pjesën ndërtimore të ndërtimit të teatrit dhe bibliotekës së re. Ekspertja Divna Stançeva deklaroi se në tërësi qëndron pas Gjetjes dhe Mendimit të përgatitur për pjesën ndërtimore të objektit.

Ajo iu përgjigj edhe disa pyetjeve të avokatëve të të akuzuarve, duke theksuar se ka pasur ndryshime dhe plotësime të projektit dhe se nuk ka ekzistuar projekt i punimeve të realizuara, por se në pjesën ndërtimore nuk ka pasur lëshime më serioze. Gjykimi vazhdon më 16 mars 2026, kur para gjykatës gjetjet e tyre pritet t’i paraqesin ekspertët e mbrojtjes./tv21.tv