Ushtruesja e detyrës së prokurores publike shtetërore, Anita Topolova Isajllovska, prokuroret Lidia Raiçeviq dhe Lençe Ristovska, si dhe gjykatësi Nenad Savevski, kanë marrë mendim pozitiv nga anëtarët e Këshillit të Prokurorëve Publikë, përcjell TV21. Është konstatuar se këta kandidatë për pozitën e parë në Prokurorinë Publike kanë përvojë shumëvjeçare dhe integritet.

I vetmi i refuzuar si kandidat është gjykatësi i shkarkuar Vladimir Pançevski, i cili nuk e kaloi filtrin e Këshillit të Prokurorëve Publikë, pasi, siç u konstatuan, nuk i plotëson kushtet e nevojshme, përkatësisht nuk ka përvojë pune të pandërprerë prej së paku 10 vjetësh.

Këshilli do t’i dërgojë Qeverisë mendimet për të katër kandidatët që morën vlerësim pozitiv, nga ku duhet të merret vendimi se cili prej tyre do të propozohet në Kuvend për zgjedhjen e prokurorit të ri publik shtetëror./tv21.tv