Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, theksoi se institucioni që ai drejton nuk është organ politik dhe për këtë arsye në procesin e vendimmarrjes së tij nuk mund të zbatohet parimi i Badinterit. Ai reagoi ndaj kërkesës së Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), i cili kishte propozuar përdorimin e këtij mekanizmi gjatë shqyrtimit të disa çështjeve.
Sipas Kostadinovskit, parimi i Badinterit është i aplikueshëm në institucione politike, siç është Kuvendi, ku miratohen apo ndryshohen ligje, por jo në një gjykatë kushtetuese që vendos mbi bazën e argumenteve juridike dhe interpretimit të Kushtetutës.
“Nëse në Gjykatën Kushtetuese do të zbatohej parimi i Badinterit, atëherë për kushtetutshmërinë, ligjshmërinë dhe të drejtat e njeriut nuk do të vendosnin argumentet juridike, por kritere të tjera. Një praktikë e tillë nuk ekziston askund dhe do ta bënte të pakuptimtë vetë ekzistencën e institucionit,” deklaroi ai.
Duke iu referuar Ligjit për përdorimin e gjuhëve, i cili prej kohësh është në procedurë para Gjykatës Kushtetuese, Kostadinovski bëri të ditur se shqyrtimi do të vazhdojë pasi të plotësohet përbërja e gjykatës. Ai theksoi se gjykata nuk bën dallime mes lëndëve në bazë të ndjeshmërisë politike dhe se të gjitha trajtohen sipas të njëjtave parime juridike.
“Ndjeshmëria e një çështjeje nuk zbehet me kalimin e kohës. Përgjegjësia jonë është të forcojmë besimin e qytetarëve në sundimin e ligjit dhe shtetin juridik. Pas kompletimit të përbërjes, çështja do të hapet në mbledhjen e parë të punës, në përputhje me vendimin për mbajtjen e seancës përgatitore,” u shpreh ai.
I pyetur për kërkesat që provimi i jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe, Kostadinovski nuk dha koment, duke theksuar se nuk dëshiron të paragjykojë, pasi Ligji për përdorimin e gjuhëve aktualisht ndodhet në shqyrtim para Gjykatës Kushtetuese.
