Jeta në muajin shkurt është më e shtrenjtë për gati një mijë denarë krahasuar me janarin, ndërsa shpenzimet për një familje katëranëtarëshe për dy muaj janë rritur për mbi 2.000 denarë. Shporta minimale sindikale për shkurt arrin 67.382 denarë, ka llogaritur Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë. Me banesë të marrë me qira prej 60 metrash katrorë, vlera rritet në 82.757 denarë.
“Çdo familje punëtore është më e varfër për 2.000 denarë për vetëm dy muaj. Për 24 muaj, pra për aq kohë sa refuzuan ta rrisnin pagën minimale, vlera e shportës minimale sindikale është rritur për më shumë se 10.000 denarë. Prandaj, në vend që të përplasen mbi kurrizin e punëtorëve, Parlamenti dhe partitë politike duhet të qëndrojnë me ta, ta votojnë pagën minimale që duhet të jetë 600 euro dhe t’i rrisin të gjitha pagat e tjera për të paktën 6.000 denarë”, tha Sllobodan Trendafilov, kryetar i LSM-së.
Derisa po ashpërsohet beteja për pagë minimale më të lartë, Qeveria mbetet në qëndrimin se ajo nga marsi do të rritet nga 25 deri në 30 euro, sipas harmonizimit ligjor. Ministri Durmishi këto ditë në pyetjet e deputetëve e akuzoi opozitën se po bën marketing politik me pagën minimale.
“Në bazë të të dhënave të Eurostatit, fuqia blerëse e shtetit tonë është para Turqisë, Malit të Zi, Bullgarisë, Çekisë, Estonisë, Shqipërisë. Sa është fuqia blerëse e një page minimale në vend, ne jemi para të gjitha këtyre vendeve që i përmenda. Ne nuk jemi kundër rritjes së pagës minimale, ajo duhet të rritet, por duhet të rritet mbi bazën e parametrave ekonomikë, duhet të rritet kur të rritet produktiviteti”, u shpreh Besar Durmishi, Ministër i Ekonomisë dhe Punës.
LSM ka lënë hapësirë Qeverisë dhe punëdhënësve deri në fund të shkurtit që të merren vesh për rritjen e pagës minimale në 600 euro. Në të kundërtën, për mars paralajmërojnë protesta dhe grevë të përgjithshme në sektorin publik dhe privat.
