Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti ka njoftuar se gjatë aktiviteteve të kësaj jave, ka qenë i shoqëruar nga arkitekti Bajram Vardar, i cili ishte pjesë e ekipit për hartimin e Masterplanit për Çairin, në fushatën e zgjedhjeve lokale. Mexhiti thotë se së bashku kanë inspektuar projektet që tashmë janë në fazën e zbatimit. Ndër ndërhyrjet kryesore janë punimet në rrugët Ferid Murat dhe Mit’hat Frashëri, ndërtimi i pishinës për sport dhe rekreacion, zgjerimi i bulevardit Cvetan Dimov dhe vendosja e kontejnerëve nëntokësorë për menaxhimin e mbeturinave.
“Kjo vizitë në terren shërbeu për të vlerësuar ritmin e realizimit dhe për të koordinuar fazat e ardhshme të punimeve, duke siguruar që çdo projekt të ecë sipas standardeve dhe afateve të planifikuara. Masterplani i Çairit po konkretizohet hap pas hapi, përmes investimeve që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës dhe në zhvillimin afatgjatë të komunës”, shkroi mes tjerash Mexhiti.
