Përfaqësues të Unionit Ndërkombëtar Pan-Evropian mendojnë se propozimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian pa të drejtë vote nuk është i mirë. Të gjithë duhet të kenë status të plotë dhe jo dikush të jetë me status më të ulët, thotë Pavo Parishiç nga Unioni Pan-Evropian.

“Në rezolutën që e miratuam para disa muajsh në Vinkovci, Unioni Ndërkombëtar Pan-Evropian paralajmëroi se kjo nuk është qasje e mirë, se në këtë mënyrë procesi i integrimit në Evropë do të ngadalësohej, dhe jo vetëm që do të ngadalësohej, por edhe do të vihej në pikëpyetje. Ne nuk mendojmë se është mirë të ekzistojnë vende me status të ndryshëm dhe se nuk mund të kompensohet me forma rajonale të bashkëpunimit ose me të drejta më të ulëta për një vend të caktuar”, tha Pavo Parishiç – Kryetar i Unionit Ndërkombëtar Panevropian.

Andrej Lepavcov nga MPJ thotë se një ide e tillë ka ekzistuar në Bashkimin Evropian për një kohë të gjatë, por edhe ai nuk pajtohet me këtë lloj gjysmë-anëtarësimi. Megjithatë shton se për këtë ende vetëm flitet, por zyrtarisht nuk ka asgjë.

“Si Union Pan-Evropian për Maqedoninë dhe për Unionin Ndërkombëtar Pan-Evropian nuk jemi në qëndrim se ne duhet të jemi anëtarë të Bashkimit Evropian në nivel të dytë ose të tretë, si të doni e caktoni këtë. Por unë këtë e them kot, kur edhe pala tjetër, Bashkimi Evropian, deri tani nuk ka vendosur si do të jetë. Kështu që këto janë diskutime aktuale, nuk ka asgjë zyrtare rreth kësaj, janë vetëm deklarata dhe dëshira të caktuara nga disa qendra në Evropë”, u shpreh Andrej Lepavcov – MPJ .

Kryeministri Mickoski thotë se Maqedonia është viktimë e bullizmit nga Bashkimi Evropian dhe se po shqyrtohen ndarjet e vendeve në ligë të parë dhe të dytë. Ai thotë se progresi i vendit tonë nuk vlerësohet sipas reformave, por me imponim të shërbimeve politike.

“Maqedonia është viktimë e bullizmit klasik nga vendet anëtare që nga brenda e shantazhojnë integrimin e Maqedonisë brenda Bashkimit Evropian, dhe kjo nuk vlerësohet sipas asaj se çfarë progresi kemi bërë, por sipas asaj, nëse do ta ndryshojmë Kushtetutën, nëse do ta ndryshojmë emrin, flamurin, monedhat dhe kështu me radhë. Dhe sa më shumë ta injorojmë këtë, aq më i vështirë do të jetë ai rrugë dhe aq më shumë do të kemi pengesa përpara nesh”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.

Në vend që të zbatohen reformat që kërkon Europa, Mickoski ofron vetëm izolim dhe fushatë anti-BE, dhe bullizmin e vetëm ndaj popullit maqedonas e bën ai vetë, thotë kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.

“Mbi 70% e qytetarëve duan BE – ndërsa ai flet për “bullizëm” dhe “ligë të parë dhe të dytë.Kjo nuk është bullizëm, kjo është pasojë e mosplotësimit të detyrimeve: drejtësi, liri e mediave, lufta kundër korrupsionit. Europa na dha një mundësi të qartë deri në 2027, së bashku me rajonin”, theksoi Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.

Deri tani nga Bashkimi Evropian nuk ka asgjë zyrtare lidhur me anëtarësimin pa të drejtë vote, dhe nga aty thonë vetëm se procesi i pranimit në BE është i qartë dhe i përcaktuar.