Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, viziton Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) në kuadër të shënimit të 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe 17-vjetorit të themelimit të këtij institucioni. Ai u prit nga drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti, së bashku me stafin drejtues dhe zyrtarë të tjerë të agjencisë.
Gjatë vizitës u ndanë certifikata për zyrtarët e rinj të AKI-së, si dhe u përurua një objekt modern brenda kompleksit të agjencisë.

Kryeministri Kurti ka shkruar në Facebook, duke theksuar rëndësinë e inteligjencës në mbrojtjen e sovranitetit dhe garantimin e vendimmarrjes së informuar përballë sfidave të sigurisë. Ai nënvizoi se në kuadër të prioriteteve për forcimin e sektorit të sigurisë, AKI ka pasur mbështetje të vazhdueshme nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përfshirë rritje të buxhetit, dhe se kjo mbështetje do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Sipas tij, avancimi i kapaciteteve teknologjike, analitike dhe operative të AKI-së, si dhe forcimi i bashkëpunimit me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë, janë dëshmi e përkushtimit për t’iu përgjigjur realitetit të ri të sigurisë.Ai thekson po ashtu se kërcënimet nga spiunazhi, kërcënimet hibride dhe kibernetike, ekstremizmi, radikalizmi dhe krimi i organizuar janë trajtuar me profesionalizëm, duke kontribuar në forcimin e sigurisë kombëtare, rajonale dhe më gjerë.
“Kërcënimet nga spiunazhi, kërcënimet hibride dhe kibernetike, ekstremizmi dhe radikalizmi, krimi i organizuar dhe format tjera të kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare, janë trajtuar me profesionalizëm, duke ndikuar në avancimin e sigurisë kombëtare”, shkruan Kurti.
Kurti shprehu mirënjohje për stafin drejtues dhe zyrtarët e AKI-së për shërbimin e tyre me përkushtim, në një profesion që, siç tha ai, është mision në mbrojtje të Republikës dhe qytetarëve të saj.
