Zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Belinda Balluku së bashku me ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ditën e sotme kanë bërë një bilanc në përmbyllje të sezonit turistik veror 2024. Ministrja Kumbaro bëri me dije se për periudhën janar-shtator, në Shqipëri kanë hyrë 9.7 milionë vizitorë të huaj.
“Jemi këtu për të bërë një lloj bilanci. Sot jemi për të bërë një përmbledhje të sezonit veror 2024. Punët për vitin tjetër kanë nisur që në gusht, pa mbaruar ky sezon. Dua të ndaj me ju projektin tonë të madh “Shqipëria turistike 2030”, që është një stacion për të cilin gjithmonë e më shumë flasim në finishin e të cilit synojmë të shkojmë si lider të turizmit në rajon. Nuk e kam fjalën për flukset e mëdha të hyrjeve turistike edhe pse nuk e fsheh që 9.7 milionë vizitorë të huaj me të cilët u mbyll shtatori, le të themi që 2023 e kemi mbajtur për një vit rekord. Nuk janë vetëm shifrat ato që i mbajmë për tregues të turizmit që rritet, por edhe cilësia, standardet e mikpritjes që do të jenë trguesit më të rëndësishëm. Kemi rrugë të gjatë për të bërë, por unë mendoj se tashmë e kemi gjetur rrugën për të pasur turizëm të shtrirë në kohë dhe në territor”, tha Mirela Kumbaro – ministre e Turizmit dhe Mjedisit.
