Të paktën 74 persona kanë humbur jetën në Meksikë, mes tyre edhe 25 pjesëtarë të Gardës Kombëtare, gjatë operacionit në të cilin u vra lideri i kartelit “El Menço” dhe në dhunën që pasoi, njoftoi mbrëmë ministri i Sigurisë, Omar Garsia Harfuç.

Forcat qeveritare u përpoqën ta arrestonin bosin e drogës, me emrin e plotë Nemesio Oseguera Servantes, në shtetin perëndimor Halisko të dielën. Oseguera u plagos dhe vdiq gjatë transportimit me avion drejt Meksiko Sitit, gjë që shkaktoi reagim të dhunshëm nga karteli.

Anëtarë të dyshuar të kartelit të tij, “Jalisco Nueva Generación” (CJNG), i vunë zjarrin automjeteve në disa shtete federale dhe bllokuan shumë rrugë. Ata sulmuan gjithashtu banka, pompa benzine dhe dyqane.

Sipas qeverisë, situata dje ishte vënë nën kontroll, raportoi DPA.

– Meksika është e qetë. U zgjuam pa bllokada në rrugë dhe të gjitha aktivitetet janë rikthyer – deklaroi presidentja meksikane Klaudia Sheinbaum.

Kaosi ngriti shqetësime për aftësinë e Meksikës që të jetë bashkëorganizatore e Kupës së Botës në futboll, e cila pritet të nisë në qershor. Gjithsej 13 ndeshje do të luhen në Meksiko Siti, Guadalahara dhe Monterej, ndërsa të tjerat do të zhvillohen në SHBA dhe Kanada.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karolin Livit, tha se SHBA-të “kanë siguruar mbështetje me inteligjencë për qeverinë meksikane”, duke e përshkruar liderin e kartelit si “një objektiv kryesor të qeverive meksikane dhe amerikane, si një nga kontrabandistët më të mëdhenj të fentanilit në vendin tonë”.

Sheinbaum theksoi se në operacion morën pjesë vetëm forcat meksikane.

– Nuk pati pjesëmarrje të forcave amerikane në operacion. Ajo që kemi është një shkëmbim i madh informacioni i siguruar nga qeveria e SHBA-së, por i gjithë operacioni, që nga faza e planifikimit, është përgjegjësi e forcave federale meksikane – tha presidentja.

Ministria meksikane e Mbrojtjes njoftoi se tetë anëtarë të bandës u vranë në Tapalpa, Halisko, gjatë operacionit ushtarak. Gjithashtu, forcat e sigurisë sekuestruan automjete të blinduara dhe armë, përfshirë edhe një hedhës raketash që mund të rrëzojë helikopterë ose avionë.

Sipas mediave meksikane, rreth 20 nga 32 shtetet e vendit u përfshinë nga dhuna pas vdekjes së narko-bosit, përfshirë Haliskon, Miçoakanin, Aguascalientesin, Tamaulipasin dhe Guanahuaton. Disa ambasada të huaja, mes tyre edhe ajo gjermane në Meksiko Siti, u bënë thirrje qytetarëve të tyre të jenë të kujdesshëm për shkak të trazirave.

“El Menço”, ish-polic, e drejtonte kartelin CJNG që nga themelimi i tij në vitin 2011. Në botën e nëndheshme meksikane ai njihej si “Zoti i gjelave” për shkak të pasionit të tij për luftërat me gjela.

Organizata kriminale që ai drejtonte është një strukturë transnacionale me lidhje deri në Kinë dhe Australi. Përveç trafikut të fentanilit, karteli merret edhe me zhvatje, kontrabandë migrantësh, vjedhje të naftës dhe mineraleve, si dhe me tregti armësh.