Brahim Diaz pritet të ketë një verë vendimtare, teksa e ardhmja e tij te Real Madrid po bëhet gjithnjë e më e pasigurt. Disa klube nga Premier Liga thuhet se po e monitorojnë nga afër situatën e tij, duke përgatitur terrenin për një lëvizje të mundshme.
Sipas “Marca”, roli i reprezentuesit maroken në “Santiago Bernabeu” është zvogëluar ndjeshëm gjatë këtij sezoni, çka ka shtuar spekulimet për një largim të mundshëm në afatin kalimtar veror.
Vera e kaluar e gjeti Diazin përballë disa ofertave, por ai zgjodhi të qëndronte në Madrid me shpresën për të siguruar një vend të rregullt në formacion nën drejtimin e trajnerit të atëhershëm, Çabi Alonso. Megjithatë, pritshmëritë e tij nuk u realizuan. Që nga fundi i shtatorit, minutazhi i tij ka rënë ndjeshëm, me vetëm 506 minuta të luajtura në La Liga dhe vetëm tre ndeshje si titullar.
As ndryshimi në pankinë, me ardhjen e Alvaro Arbeloa, nuk solli kthesë për 25-vjeçarin. Diaz është kufizuar kryesisht në paraqitje të shkurtra si zëvendësues, përfshirë minutat e pakta në sfidat ndaj Viljarealit në kampionat dhe Benfikës në Ligën e Kampionëve.
Me situatën aktuale, largimi i tij gjatë verës duket gjithnjë e më i mundshëm, ndërsa Anglia shihet si destinacioni më i favorizuar për hapin e radhës në karrierë.
The post Brahim Diaz në verë largohet nga Madridi, vijnë oferta nga klubet e Premier Ligës appeared first on Alsat.
