Gazetar: Petar Çausheski
Ministri i Drejtësisë Igor Fillkov kërkoi llogari nga të gjithë ata që kanë qenë pjesë e procedurës për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi. Ai i ftoi Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin e Prokurorëve Publik që urgjentisht të thërrasin mbledhje dhe të përcaktojnë ku qëndron përgjegjësia.
“Prokurori publik, Daniell Kocev, le të shpjegojë mbi cilat fakte konkrete dhe argumente juridike është dhënë mendimi pozitiv për zëvendësimin e paraburgimit? Udhëheqësi i Prokurorisë, Anell Fidoski, a qëndron pas këtij vendimi dhe a mendon se kjo është mesazh për zbatimin e barabartë të ligjit? Gjykatësi i procedurës paraprake pranë Gjykatës Penale Shkup, Marin Stanevski, cilat rrethana e kanë tejkaluar rrezikun e arratisjes tek një person që për 14 muaj ishte i paarritshëm?”, tha Igor Fillkov, ministër i Drejtësisë.
Sipas Fillkovit, nuk mundet që për qytetarët e zakonshëm paraburgimi të jetë automatizëm, ndërsa për ish-funksionarët të jetë përjashtim.
“Nëse ekziston kërcënim, shteti ka mekanizma për të siguruar siguri edhe brenda sistemit të paraburgimit. Nëse një qytetar i zakonshëm mund të mbetet në paraburgim për sasi shumë më të vogël dhe pa arratisje të mëparshme, atëherë të njëjtat standarde duhet të vlejnë për të gjithë”, theksoi Igor Fillkov, ministër i Drejtësisë.
I pari i drejtësisë Fillkov tha se është e kotë miratimi i ligjeve nëse ato nuk zbatohen dhe nëse vlejnë në mënyrë selektive./ Alsat.mk
The post Fillkov kërkon përgjegjësi nga të gjithë të përfshirët në vendimin për arrest shtëpiak ndaj Artan Grubit appeared first on Alsat.
