Avokati Petre Shilegov kërkoi që gjykata ta ndërpresë procedurën për zjarrin në Koçan, sepse, siç theksoi, është shkelur parimi i barazisë së të akuzuarve, mes atyre të ndjekur nga Prokuroria Publike dhe policëve të akuzuar nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Ai akuzoi se ekzistojnë standarde të dyfishta, duke bërë paralelizëm edhe me arrestin shtëpiak të Artan Grubit. Ai tha se kjo metodologji e vlerësimeve prokuroriale është e panjohur për publikun. Kur disa janë në paraburgim, ndërsa të tjerë nga arratisja nuk paraburgosen –rrezikohet seriozisht barazia e të akuzuarve! – tha Shilegov.

“Ne nuk kemi dy kategori qytetarësh, për fat të keq nga ajo që Prokuroria Publike po bën kohëve të fundit, përfshirë edhe rastin për të cilin më pyetët, është e qartë se ka standarde të ndryshme në caktimin ose kërkimin ndaj gjykatës për caktimin e masave për sigurimin e personave, siç është edhe në këtë rast konkret. Nuk mund për disa të keni një mendim juridik për të njëjtën ngjarje penale, e për të tjerë një mendim krejtësisht tjetër juridik. Kjo farsë që po ndodh në sallën e gjyqit në këtë lëndë, Prokuroria Publike është e detyruar ta ndërpresë”, tha Petre Shilegov, avokat .

Pas kësaj reaguan nga Prokuroria Publike, nga ku thanë se nuk mund të deklarohen për një propozim të tillë, ndërsa gjykata e hodhi poshtë kërkesën. Reaguan edhe prindërit, të cilët kërkojnë që procesi gjyqësor ta marrë dinamikën e vet.

“Ne nuk jemi këtu për hakmarrje, ne jemi këtu për përgjegjësi. Kërkojmë që gjykata ta vërtetojë të vërtetën deri në fund. Kjo nuk është çështje politike, kjo është çështje sigurie. Sot kërkojmë drejtësi për fëmijët tanë, nesër kjo mund të jetë çështje sigurie për çdo fëmijë në këtë shtet”, u shpreh Aleksandar Naunov, Shoqata 16 Mars.

Në seancën e sotme, dëshmitarja e parë ishte vokalistja shoqëruese e grupit DNK, Ana Kostadinovska. Ajo tha se nuk e dinte kush e kishte instaluar piroteknikën, se pasi e kishte vërejtur zjarrin kishte tentuar të dilte nga dera që ndodhej pranë skenës, e cila ishte e mbyllur me dry. Në atë moment u drejtua drejt daljes kryesore, pas së cilës u krijua panik, kishte tym që i bënte njerëzit të përgjumeshin. Ajo ra pranë daljes dhe me persona të tjerë mbeti e bllokuar pranë derës.

Ndryshe, në sallën e gjyqit, avokatja e pronarit të “Puls”, Dejan Jovanov, ka kërkuar që ai të transferohet dhe paraburgimin ta vuajë në burgun e Idrizovës, për shkak, siç tha, të trajtimit çnjerëzor dhe poshtërues nga personeli i burgut në Kumanovë.