Gazetar: Suad Bajrami
Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve ia bënë me dije ministrit të Drejtësisë Igor Fillkov se gabimisht e drejton gishtin tek ata sa i përket caktimit të arrestit shtëpiak për ish zëvendëskryeministrin Artan Grubi. Anëtarja e sapozgjedhur e Këshillit Gjyqësor Suzana Joshevska, kërkesës së Fillkovit për seancë urgjente iu përgjigj me leksion.
“Gjyqtari nuk guxon të shqiptojë masë paraburgim nëse ka propozim nga prokurori për arrest shtëpie. Nuk ka nevojë për seancë urgjente të Këshillit Gjyqësor që të diskutohet për rregull bazë në procedurën penale”, tha Suzana Joshevska Anastasovska, anëtare e Këshillit Gjyqësor.
Edhe Këshilli i Prokurorëve nuk e sheh të nevojshme të thirr seancë urgjente, pasi kompetent për të mbikëqyrur punën, sipas tyre është kryeprokurori dhe Prokuroria e Lartë.
“Ai është qëndrim i Prokurorisë Publike, unë nuk mundem si kryetar i Këshillit të them asgjë në këtë drejtim”, u shpreh Bashkim Besimi, Kryetari i Këshillit të Prokurorëve.
Nga Shoqata e Prokurorëve sot i kërkuan Fillkovit dhe partive që t’u përmbahen komenteve dhe ta respektojnë parimin e ndarjes së pushtetit, pasi me këtë rrënohet pavarësia e prokurorëve.
“Retorika e këtillë publike patjetër duhet të ndalojë, ndërsa institucionet tjera të lejojnë prokurorët të veprojnë dhe vendosin pa pengesë”, thanë nga Shoqata e Prokurorëve Publik.
Alsat kërkoi qëndrim edhe nga Prokuroria e Lartë e Shkupit nëse kanë hapur lëndë për të shqyrtuar përgjegjësinë eventuale të prokurorit të çështjes “Grubi”, Daniell Kocev apo shefit të Prokurorisë së Shkupit Anell Fidovski, megjithatë nga atje nuk morëm përgjigje. / Alsat.mk
The post Thirrja e seancës urgjente nga Fillkov për Artan Grubin – Këshilli Gjyqësor dhe ai i Prokurorëve i përgjigjen negativisht ministrit appeared first on Alsat.
