Gazetar: Bashkim Sulejmani

Ende nuk ka përgjigje konkrete nga Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me alarmet e rreme nëpër shkollat e Tetovës. Udhëheqësi i Arsimit në Komunën e Tetovës thekson se vazhdimisht janë dërguar shkresa, por përgjigje nuk ka.

“Ne kemi dërguar dy shkresa, e para e drejtuar me pyetjen se ku ka mbërrit situata lidhur me hetimin e rasteve, sepse 12 herë ka ndodhur vetëm në Gjimnazin “Kiril Pejçinoviq”, ndërsa tash ndodh në gjitha shkollat fillore dhe të mesme, mirëpo nuk ka ndonjë përgjigje konkrete nga MPB, sepse hetimet janë të fshehta dhe mos del diçka para kohë”, tha Validin Ademi, sektori për Arsim komuna e Tetovës.

Ndryshe nga Gjimnazi “7 Marsi”, “Kiril Peçinoviq” dhe Mjekësia, në shkollën e mesme Ekonomike alarmet e rreme për bomba kanë mbërritur edhe në emailat privat të disa të punësuarve.

“Ditëve të fundit kemi qenë cak i kanosjeve të dërguara në formë elektronike përmes emailave të shkollës por edhe emailat privat të anëtarëve të menaxhmentit. Këto veprime i cilësojmë si të papranueshme shqetësuese dhe me qëllim prishjen e harmonisë dhe krjimin e ndjenjës së frikës”, deklaroi Hava Hasani, drejtoreshë e SHMEK “Shtatori”.

Ndërkohë Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë thekson se hetimet vazhdojnë dhe se nuk ka ende asnjë pistë dyshimi se kush mund të jetë dërguesi i emailave. Nga ana tjetër sektori i arsimit ka bërë të ditur se humbja e orëve mësimore për shkak të alarmeve të rreme për bomba do të kompensohet, përmes orëve shtesë të parapara në plan-programin mësimor. /Alsat.mk

The post Vazhdojnë alarmet e rreme në shkollat e Tetovës, policia pa përgjigje konkrete appeared first on Alsat.