Ndryshimet kushtetuese mbeten kyçe për vazhdimin e negociatave të Maqedonisë me BE-në, por përgjegjësia për bllokadën nuk qëndron vetëm në Shkup, por edhe në Bruksel, tha eurodeputeti Thomas Weitz para Komitetit të Punëve të Jashtme në prezantimin e draft-raportin vjetor për progresin e vendit.
“Sa i përket një ndryshimit kushtetues – është shumë e qartë se të drejtat e pakicave për shprehje kulturore dhe vetëvendosje janë pjesë e legjistlacionit tonë evropian dhe, rrjedhimisht, pjesë e kornizës negociuese dhe e përfundimeve të Këshillit. Prandaj, ekziston nevoja për ta përmbushur këtë kërkesë duke shtuar në Kushtetutë pakica shtesë, komunitete që janë të pranishme në vend. Kjo është gjithashtu në frymën e asaj që do ta quaja një histori suksesi të vendit, ku përfshirja dhe ndarja e pushtetit me grupe të ndryshme etnike në vend – popuj shumicë, pakica – janë një përbërës kryesor”, tha Thomas Weitz – Eurodeputet.
Edhe eurodeputetët tjerë e mbështetën rrugën evropiane të vendit, megjithatë kërkuan ndyshimet kushtetuese. Më i zëshëm ishte Antonio Tanger Koreja nga Portugalia, i cili vlerësoi se qytetarët e Maqedonisë nuk janë vetëm të lodhur nga pritja për anëtarësim, por po distancohen nga BE-ja.
“Maqedonia definitivisht i përket BE-së, por “momenti reformues kërkon vendosmëri politike rreth ndryshimeve kushtetuese”, u shpreh Matej Tonin – Eurodeputet i Sllovenisë.
“Maqedonia përfundoi skanimin më 7 dhjetor 2023. Ata bëjnë çmos. Ata gjithashtu kanë reformuar Kushtetutën deri tani dhe kanë ndryshuar ligje. Por, lidhur me minoritetet dhe politikën e brendshme për këtë duhet të marrin trajtim tjetër – t’i mbështesim më shumë, jo vetëm të kërkojmë. BE-ja duhet të jetë faktor stabilizues dhe jo destabilizues, duke lejuar minoritete të ndryshme të shfrytëzojnë negociatat me BE-në dhe pozicionin e brishtë të vendit. Duhet ta mbajmë rajonin në rrugën e bashkëpunimit dhe stabilitetit, sepse kjo është në interes të BE-së,” tha Koreja.
Eurodeputeti bullgar Ivajo Valchev kërkoi që vendi t’i bëj; ndryshimet kushtetuese, pasi sipas tij, mosarritja e ndryshimeve tregon munges; të vullnetit politik.
“Partitë në pushtet në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë politikën e kërkimit të një armiku të jashtëm për të fshehur problemet e brendshme politike. Për ne, veçanërisht shqetësuese janë deklaratat publike të Kryeministrit, z. Hristijan Mickoski, të cilat shpesh përforcojnë retorikën konfrontuese, si në planin e brendshëm politik ndaj opozitës dhe mediave kritike ndaj tij, ashtu edhe në raport me vendet fqinje dhe vetë Bashkimin Evropian. Sipas mendimit tim personal, vendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian, por jo me çdo kusht. Mungesa e ndryshimeve kushtetuese, të dakorduara si pjesë e kornizës negociuese për vendin, tregon mungesë vullneti politik dhe vizioni strategjik që do ta çonte drejt anëtarësimit”, u shpreh Ivajo Valchev – Eurodeputet i Bullgarisë.
Eurodeputeti Thomas Weitz vlerësoi se sundimi i ligjit mbetet sfidë me progres të kufizuar, por theksoi se ky vit është shpallur “viti i reformave”, me thirrje që përpjekjet të intensifikohen deri në qershor për të mos rrezikuar humbjen e rreth 47 milionë eurove mbështetje buxhetore. Ai nënvizoi nevojën urgjente për investime të huaja, sidomos në tranzicionin energjetik dhe energjinë e rinovueshme, duke theksuar se siguria juridike është kyçe për tërheqjen e investitorëve, ndërsa në fushën e mjedisit përmendi progres në menaxhimin e mbeturinave, por sfida të mëdha në trajtimin e ujërave të zeza.
