Studentët e juridikut paralajmërojnë protesta, nëse nuk zgjidhet problemi me dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, transmeton TV21.
Mevlan Ademi nga Nisma studentore kërkoi nga Ministri i drejtësisë Igor Fillkov që të reflektojë dhe të zbatojë ligjin për përdorimin e gjuhës. Ideja për protestë erdhi pas mbledhjes së studentëve në Universitetin “Nënë Tereza”.
“Sot jemi mbledhur këtu në Universitetin “Nënë Tereza” për të treguar se studentët shqiptar këtu në vendin tonë kanë folur shqip dhe do të flasin shqip”, tha Besart Sejdiu – kryetar i Kuvendit studentor UNT.
“Por përsëri një muaj pas dorëzimit të kërkesës sonë në institucionet relevante nuk ka ende asnjë veprim konkret në zgjidhjen e kësaj, për këtë arsye sot ne u mblodhëm, mbajtëm mbledhjen e parë organizative me 3 universitete të ndryshme për të mobilizuar kolegët tanë nga fakultetet tjera dhe të përgatitemi për protestë. Nga sot fillon përgatitja për protestë dhe përsëri ne kërkojmë nga ministri i drejtësisë që të reflektojë dhe të zbatojë ligjin për përdorimin e gjuhës, të angazhohet në zgjidhjen e problemit para se të ndërtojë mure”, u shpreh Mevlan Ademi nga Nisma studentore.
