Duhet të gjejmë zgjidhje të sfidës me Bullgarinë, të kemi dialog aktiv, por në kuadër të pozicioneve tona parimore. Ne nuk guxojmë ta lejojmë veten të vazhdojmë të mbetemi peng i proceseve dypalëshe, kjo nuk është e drejtë për këtë shtet, qytetarët tanë dhe institucionet tona nuk e meritojnë këtë, dhe për këtë arsye, duhet të arrihet një zgjidhje racionale që do të na japë ne, si shtet, dhe popullit tonë parashikueshmërinë përgjatë rrugës evropiane që shumica dërrmuese e vendit e dëshiron pa asnjë dilemë, tha sonte ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës së Kroacisë, Gordan Gërliq Radman.

Siç theksoi Mucunski, në Bullgari janë duke u zhvilluar veprimet zgjedhore, prandaj duhet pasur shumë kujdes. Ai kishte dëgjuar tashmë nga ministri i ri i Punëve të Jashtme, i cili ka mandat teknik dhe pret në mundësinë e parë për të realizuar takim me të

“Shteti ynë duhet të vazhdojë në kuadër të përcaktimit strategjik që ekziston. Ne jemi vend anëtar i NATO-s, vend që duhet të arrijë qëllimin e tij, që është anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian dhe një vend që ka partneritet strategjik me SHBA-në. Sa i përket çështjes së Bashkimit Evropian, ne nuk e kemi atë luks për të thënë – ndalemi në çdo moment. Përkundrazi, së pari duhet të përqendrohemi në agjendën e brendshme, ku duhet të theksoj se krahasuar me shumicën e vendeve në rajon, ne po bëjmë punën tonë, por kemi ende sfida para nesh, pa asnjë dilemë. Dhe japim rezultate. Kjo është veçanërisht e dukshme për sa i përket rezultateve të agjendës reformuese në muajt e fundit. Dhe ne duhet të gjejmë zgjidhje të sfidës me Bullgarinë. E tani, këtë edhe duhet edhe mund ta shohim përmes dy aspekteve. Së pari, kemi pozicione parimore që i kemi prezantuar edhe para vendeve anëtare edhe para Bullgarisë fqinje. Por, duhet të kemi dialog aktiv me fqinjin tonë, të flasim për atë që na shqetëson dhe të flasim se si është rruga drejt zgjidhjes. Pak ditë më parë, e patë, kishte kumtesë nga institucionet tona, u dëgjova me ministren e re të Punëve të Jashtme, e cila ka mandat teknik, por megjithatë është ministër i Punëve të Jashtme. Pres që në periudhën e ardhshme të diskutojmë, në mundësinë e parë për të realizuar një takim, për të diskutuar se çfarë mund të bëjmë në periudhën e ardhshme në kuadër të mandatit teknik. Dhe paralelisht, të jemi të kujdesshëm maksimalisht. Siç bëri të ditur Gordan, në Bullgari për momentin janë duke u zhvilluar aktivitetet zgjedhore. Dhe gjithçka që themi mund të bëhet shumë lehtë pjesë e narrativës zgjedhore në Bullgari. Dhe e gjithë kjo në fund, për të përkeqësuar pozicionet tona në bisedimet e mundshme me fqinjin tonë”, tha Mucunski në konferencën e përbashkët për media me Radmanin.

Duke iu referuar marrëdhënieve me Kroacinë, ai përsëriti atë që Radman e tha më parë – se të dy vendet kanë marrëdhënie të shkëlqyera, miqësore dhe bashkëpunim në të gjitha sferat, pa asnjë çështje të vetme të hapur.

Për momentin, informon Mucunski, po zhvillohen bisedime për të mbyllur procesin e krijimit të partneritetit strategjik.

“Ne jemi shembull i bashkëpunimit të mirë dypalësh që po përmirësohet vazhdimisht. Në periudhën e ardhshme, ne presim të jemi pranë një marrëveshjeje për partneritet strategjik në disa fusha – ekonominë, tregtinë, sigurinë dhe bashkëpunimin politik, energjetikën. Në fushën e integrimit evropian, unë e llogaris Kroacinë midis vendeve që janë mbështetësit tanë parimorë. Ka shumë që mbështesin, por më pak që mbështesin parimisht. Kroacia duhet të shihet si mentori ynë në procesin e integrimit evropian, si në aspektin politik ashtu edhe në atë teknik, sepse edhe kemi shumë projekte aktive që publiku jo gjithmonë i sheh, ndërsa na ndihmojnë në rrugën evropiane”, nënvizoi Mucunski, i cili është nikoqir i delegacionin kroat të kryesuar nga ministri Radman.

The post Mucunski: Duhet të gjejmë zgjidhje të sfidës me Bullgarinë appeared first on Alsat.