
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë vizitës së tij në Tetovë ka zhvilluar një takim me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në selinë e partisë në Reçicë të Vogël.
Sipas njoftimit të Ahmetit, takimi u zhvillua në një atmosferë vëllazërore dhe me frymë përgjegjësie, ku u diskutua për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, me theks të veçantë në stabilitetin, zhvillimin dhe integrimin evropian të dy vendeve.
Ahmeti theksoi rëndësinë jetike të Marrëveshjes së Ohrit, duke e cilësuar atë si gurthemeli i shtetit multietnik dhe i arkitekturës së paqes në vend. Ai nënvizoi se çdo cenim i këtij kompromisi historik përbën sfidë ndaj frymës së bashkëjetesës dhe barazisë.
Në takim u diskutua edhe për projekte strategjike rajonale, veçanërisht për Korridorin VIII, si një bosht i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik dhe lidhjes ndërmjet vendeve të rajonit, si dhe për përkushtimin e përbashkët drejt së ardhmes evropiane të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Rruga jonë është e qartë: partneritet i ngushtë, vizion i përbashkët dhe vendosmëri për ta mbrojtur paqen, barazinë dhe orientimin euroatlantik”, ka shkruar Ahmeti.
