Gazetar: Petar Çaushevski

Një e dënuar, ndaj së cilës ishte shqiptuar masa e probacionit, punë me dobi të përgjithshme në Kopshtin Zoologjik të Shkupit, pas përfundimit të masës mori ofertë për të vazhduar punën. Ky është vetëm një nga shembujt pozitiv të zbatimit të suksesshëm të probacionit, të cilët i theksuan nga Drejtoria për Shqiptimin e Sanksioneve.

“Efektet e probacionit janë mjaft të mëdha. Veçanërisht duke pasur parasysh faktin se mbikëqyrjet mbrojtëse realizohen me sukses të lartë. Nga të gjitha rastet e deritanishme ku kemi vepruar, vetëm 3 për qind prej tyre janë revokuar,” tha Diana Gjero­ska, udhëheqëse e Sektorit për mbikëqyrje dhe ekzekutim të punëve të probacionit.

Aktualisht në gjykatat e vendit funksionojnë 11 zyra të probacionit me 29 punonjës të specializuar, juristë, psikologë dhe punonjës socialë, të trajnuar nga ekspertë ndërkombëtarë. Në të ardhmen planifikohet hapja e edhe katër zyrave të tjera të probacionit. Deri më tani shërbimi ka vepruar në 3736 raste probacioni.

“Numri i rasteve të probacionit është në rritje të vazhdueshme. Nëse filluam vetëm me 4 raste në vitin 2018, vitin e kaluar 2025 e përfunduam me 960 raste probacioni. Aktualisht po veprohet në 921 raste aktive. Mendoj se, në nivel shtetëror, ky numër mund të dyfishohet,” deklaroi Diana Gjero­ska, udhëheqëse e Sektorit për mbikëqyrje dhe ekzekutim të punëve të probacionit.

Në periudhën e kaluar, me qëllim përmirësimin e zbatimit të probacionit, drejtori i Drejtorisë për Shqiptimin e Sanksioneve, Aleksandar Pandov, ka realizuar takime me kryetarët e 10 gjykatave në vend. Gjero­ska thotë se një i burgosur në burg i kushton shtetit 35 euro në ditë, ndërsa një ditë nën probacion i kushton shtetit vetëm 2 deri 3 euro, dhe vlerëson se probacioni ngadalë, por sigurt po e zë vendin e tij në sistemin tonë penal-juridik. /alsat.mk

The post Probacioni është një nga zgjidhjet kyçe për uljen e mbipopullimit në burgje dhe për risocializimin e personave të dënuar appeared first on Alsat.