Objektet hotelierike do të kenë afat deri në një viti për t’i përshtatur tarracat e tyre me ligjin e ri për mbrojtje nga pirja e duhanit. Sipas ndryshimeve të propozuara, tarracat nuk do të duhet të jenë të hapura nga tri anë, por do të jetë e mjaftueshme të kenë hapje nga të paktën dy anë. Kjo është një nga kërkesat e pranuara, përderisa procesi i dorëzimit të vërejtjeve është mbyllur, njofton Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
“U pranua kërkesa për shtyrjen e zbatimit të ligjit për tarracat – tarraca të hapura nga tri anë, të cilat, për fat të keq, tani janë të mbyllura. Atyre u duhet kohë që të mund të përshtaten infrastrukturisht me ligjin”, tha Azir Aliu.
Në hapësirat e mbyllura, pirja e duhanit do të ndalohet plotësisht, duke përfshirë edhe cigaret elektronike. Sipas ligjit, parashihet kufizim i shitjes së cigareve elektronike me shije të ndryshme, ndërsa produkte të tilla do të mund të shiten vetëm me shije neutrale ose me shije duhani. Ministri thotë se qëllimi është të ulet tërheqja e tyre tek adoleshentët.
“Do të ndalohen të gjitha shijet që janë të ëmbla dhe atraktive për të rinjtë, e sipas analizave dhe kërkesave. Do të lejojmë vetëm shitjen e cigareve elektronike me shije neutral dhe shije duhani, me qëllim që të mundet popullata – e cila konsumon cigare tradicionale të mund të kaloje në elektronike”, deklaroi Aliu.
Ndryshe të dhënat nga anketa e Ministrisë së Shëndetësisë për konsumimin e duhanit tek të rinjtë për vitin 2024 janë shqetësuese! Gjithsej 13.6% e nxënësve nga klasa e shtatë deri në të nëntën në vend përdorin produkte duhani, mbi gjysma e tyre janë ekspozuar ndaj tymit të duhanit në shtëpi.
Anketa përfshin nxënësit 13 deri 15 vjeç është realizuar në 75 shkolla dhe janë përfshirë afro 4700 nxënës.
Ligji për duhanin këtë javën që vjen pritet të definohet plotësisht në Qeveri, pas çka do të gjendet në Kuvend para deputetëve dhe të fillojë të zbatohet.
