Humb jetën një person nga Maqedonia…

Një aksident i rëndë në vendin e punës ka përfunduar tragjikisht për një punëtor të ri me origjinë nga Maqedonia e Veriut në Zvicër.
Ngjarja ka ndodhur të premten rreth orës 23:00 në Niederurnen, ku një punëtor rreth 25-vjeçar ishte duke kryer punime pastrimi në një makinë prodhuese. Gjatë procesit të punës, ai dyshohet se është kapur nga makina industriale, ndërsa ende nuk dihen rrethanat e sakta të aksidentit.
Sipas njoftimit zyrtar për media, punëtori pësoi lëndime shumë të rënda në kokë dhe në pjesën e sipërme të trupit. Ai u transportua me urgjencë me helikopter drejt spitalit, por fatkeqësisht nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë gjatë natës.
Mediat zvicerane raportojnë se viktima ishte me origjinë nga Maqedonia e Veriut.
Autoritetet bëjnë të ditur se hetimet për zbardhjen e plotë të aksidentit po zhvillohen nga Prokuroria e Kantonit Glarus dhe Policia Kantonale. Në operacionin emergjent morën pjesë rreth 20 persona nga policia, shërbimi i urgjencës, zjarrfikësit dhe ekipet e shpëtimit.