Izraeli ka bërë të ditur se pikat kufitare me Gazën, përmes të cilave kalon ndihma e domosdoshme humanitare, do të mbeten të mbyllura për aq kohë sa vazhdon lufta me Iranin.

COGAT, organi izraelit që mbikëqyr hyrjen e ndihmave në Gaza dhe funksionimin e pikave kufitare, ka njoftuar se ato nuk mund të operojnë në mënyrë të sigurt për shkak të kërcënimit nga raketat.

Autoritetet izraelite kanë udhëzuar qytetarët të qëndrojnë pranë strehimoreve kundër bombave, ndërsa objektet që ndodhen në distancë më të largët nga strehimoret, janë mbyllur.

“Masat e ndërmarra janë të përkohshme dhe  bazohen vetëm në një vlerësim të sigurisë”, thuhet  në deklaratën e COGAT-it.

Megjithatë, pretendimet se në Gaza ka rezerva të mjaftueshme ushqime për një “periudhë të zgjatur” janë vënë në pikëpyetje nga organizata të ndryshme humanitare. Ndër to është edhe World Central Kitchen, që operon me kuzhinë popullore në mbarë Gazën, e cila ka paralajmëruar se po i mbarojnë furnizimet.

“Ne kemi nevojë për dërgesa ushqimore çdo ditë për të ushqyer familjet e uritura që nuk janë pjesë e kësaj lufte”, ka shkruar në rrjetin social X, themeluesi i saj, Jose Andres.

The post Izraeli i mbyll pikat kufitare me Gazën, organizatat paralajmërojnë mungesë ushqimi appeared first on Alsat.