VLEN-i gati të bëhet një parti?

Asnjë zë nga Arben Fetai pasi bashkëpartiakët e përjashtuan atë nga politikat vendimmarrëse në emër të ASH-së brenda VLEN-it. Alsat tentoi të bie në kontakt por Fetai nuk iu përgjigj thirrjeve dhe mesazheve tona. Hapi i tij i fundit është para një jave kur miratoi konceptin “Aleanca e Re” e të cilin e quajti si hap strategjik drejt një VLEN-i të unifikuar. Pak ditë më pas, pjesa tjetër caktuan deputetët Mimoza Musa dhe Ilir Demiri që të vazhdojnë negociatat në emër të ASH-së për të unifikuar VLEN-in.

Ndërkohë ende e paqartë mbetet mënyra e funksionimit të lidershipit. Kasami e Mexhiti këmbëngulin për parti me bashkëkryetar. Por nga ana tjetër anëtarësia e Alternativës konsiderojnë se LD dhe BESA nuk kanë asgjë më tepër se Alternativa dhe kërkojnë që të ketë ose një ose tre kryetarë bashkë me Bekim Salin. Ish kreu i Alternativës Zeqirija Ibrahimi shprehet se ideja e dy kryetarëve nuk është hedhur poshtë nga Alternativa por dëshirojnë të dëgjojnë më tepër argumente.

“Askush nga partitë nuk ka garuar e vetme në zgjedhje që të mund të matemi në vota se kush është më i fortë dhe nuk shoh arsye pse duhet të shtyhemi në garë të këtillë. Ne kemi fituar sepse kemi qenë bashkë. Nuk kam ndonjë argument imperik që të them se dikush është më i dobët apo më i fortë. Shtyrja që bëhet në rrjetet sociale nuk më duket e qëlluar për arsyen për të cilën flasim”, u shpreh Zeqirija Ibrahimi – Ish kryetar i Alternativës.

Kreu i Besës, Bilall Kasami, tha se Alternativa është e gatshme të vlerësojë konceptin me dy kryetarë ndërsa u bëri thirrje dy fraksioneve të ASH-së brenda VLEN-it që të ri-organizojë strukturat.

“Unë jam optimist që në fund do të gjejmë gjuhë të përbashkët që VLEN të jetë një strukturë politike dhe sigurisht se do të pajtohemi për idenë që nëse shumica kemi vlerësim për një ide konkrete besoj se nuk do të insistoj as Alternativa as dikush tjetër të ketë të drejtën e vetos edhe pse edhe këtu jemi dakorduar që të funksionojmë në parimin e konsensualitetit të plotë por jo me të drejtë veto-je”, deklaroi Bilall Kasami – Kryetar i L.Besa/VLEN.

Pjesë përbërëse e VLEN-it janë Lëvizja Demokratike, Lëvizja Besa, Alternativa, Aleanca tanimë në dy tabore, Lëvizja Arbëria dhe Bekim Qoku si përfaqësues i Vetëvendosjes. /