Deri më tani gjithsej 632 qytetarë të Maqedonisë kanë kërkuar informacione për evakuim nga rajonet e prekura të Lindjes së Mesme.
MINISTRIA E PUNËVE TË JASHTME E RMV-SË:
-136 persona janë regjistruar në Doha, ndërsa numri në Abu Dabi vazhdon të rritet dhe aktualisht arrin rreth 477 persona. Sa i përket qytetarëve tanë në Izrael, numri mbetet i pandryshuar. Për 6 persona, me ndërmjetësimin e Ministrisë ka përfunduar evakuimi dhe ata kanë vendosur të largohen me shpenzimet e veta përmes fluturimeve komerciale drejt Shkupit. Gjashtë personat e tjerë, të cilët shprehën gatishmëri për evakuim, gjatë ditës do të transportohen në mënyrë tokësore nga Izraeli në Egjipt. Do të vendosen në një hotel me shpenzimet e shtetit dhe pritet që nesër me aeroplan qeveritar të nisen drejt Shkupit.
Sa i përket qytetarëve në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katar, përfaqësia diplomatiko-konsullore në Abu Dabi, është në fazën e përfundimit të detajeve teknike dhe logjistike për organizimin e fluturimeve charter, informojnë nga MPJ, duke shtuar se përfaqësitë diplomatiko-konsullore po përgatitin një plan të veçantë për evakuimin e qytetarëve që ndodhen në Bahrein dhe Kuvajt.
MINISTRIA E PUNËVE TË JASHTME E RMV-SË:
-Apelojmë tek të gjithë qytetarët e Maqedonisë që ndodhen në rajonet e prekura (Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Bahreini dhe Kuvajti), nëse nuk e kanë bërë ende, të kontaktojnë menjëherë me përfaqësinë diplomatiko-konzullore përkatëse ose me numrin SOS të Ministrisë.
Ministria e Punëve të Jashtme siguron se është mbetet në kontakt të vazhdueshëm dhe plotësisht në dispozicion të qytetarëve, si dhe në koordinim të rregullt me autoritetet lokale kompetente, me qëllim të kryerjes së evakuimit në mënyrë të sigurt.
