Gazetar: Bashkim Sulejmani
Ekonomia e vendit ende nuk ka filluar t’i ndjejë pasojat e situatës së përshkallëzuar në Lindjen e Mesme. Megjithatë sipas ekspertëve, me importimin e naftës dhe gazit, si pika kyçe të energjetikës Maqedonia e Veriut importon edhe inflacionin.
“Çdo rritje e çmimeve pas luftës në Iran do ndikoj në rritje të çmimeve në bursa edhe në naftën dhe gazin pra që do importohet edhe në Maqedoni. Pra zinxhir do jetë edhe rritja e çmimeve edhe këtu që do jetë në afat të mesëm dhe të afërt. Këtu do varet shumë edhe nga zgjatja e këtij konflikti në lindjen e mesme. Efekti do të jetë afat mesëm, kurse mekanizmat që duhet ti merr shteti janë më tepër tek politikat fiskale dhe monetare që duhet ti zbatoj gjatë zgjatjes së luftës në Lindjen e Mesme”, deklaroi Ali Maksuti, ekspert i ekonomisë.
Ndërkohë Ministria e Ekonomisë thotë se me vëmendje ndjek situatën dhe në rast të krizës eventuale, do të ndërmerren masa të menjëhershme.
“Tani për tani gjendja është stabile, por do presim ditëve në vijim të shohim se çfarë pasojash mund të ketë situata e krijuar në Lindje dhe normal si Qeveri dhe Ministri do marrim menjëherë vendime në rast të paraqitjes së pasojave të krizës ekonomike. Vendimet do jenë transparente dhe të qasshme për gjithë qytetarët e vendit”, tha Besar Durmishi, ministër i Ekonomisë.
Pas bllokimit të Ngushticës së Hormuzit rritet frika për tronditje të bursave botërore, sidomos të çmimit të naftës e gazit. Përmes kësaj ngushtice kalon mbi një e pesta e furnizimeve ditore globale me naftë. /Alsat.mk
The post Ekspertët: Vazhdimi i tensioneve në Lindjen e Mesme do të shkaktojë shtrenjtime appeared first on Alsat.
