Rreth 30% e popullsisë në vendin tonë janë obezë, ndërsa rreth 65% janë të tejushqyer!
Mbipesha nuk është aspak e mirë për shëndetin!
Mjeku Irfan Ahmeti, kryetar i Shoqatës Shkencore për Obezitetin “OBEM”, thotë se pesha e lartë trupore është arsyeja kryesore e sëmundjeve kardiovaskulare, goditjeve në tru dhe zemër, diabetit të tipit 2 dhe infertilitetit.
IRFAN AHMETI, KRYETAR I SHOQATËS “OBEM”
“Mbipesha rrallë apo aspak nuk njihet si diagnozë, në praktikën klinike reale, ne i regjistrojmë pasojat, kështu që nuk e regjistrojmë kurrë obezitetin si shkak, por si pasojë, le të themi hipertensioni ose sëmundjet e zemrës, gjithmonë harrojmë të adresojmë që obeziteti është shkaku”, tha Irfan Ahmeti – kryetar i Shoqatës “OBEM”.
Drejtori i Fondit Shëndetësor, Sasho Klekovski, tha se do t’i rrisin taksat për lëngjet me sasi të lartë sheqerit! Me këtë, sipas tij, qëllimi nuk është vetëm ta rrisin çmimin e produktit për konsumatorët, por edhe t’i detyrojë industritë e lëgjeve që t’i riformulojnë recetat me më pak sheqer.
“Ekziston një propozim për të futur një taksë mbi sheqerin, që do të thotë se këto pije do t’i nënshtrohen një takse shtesë, bazuar në sasinë e sheqerit në pije, sepse pijet dhe ushqimet me sheqer janë një nga problemet më të mëdha në kontrollin e peshës dhe në dietat tona”, u shpreh Sasho Klekovski – drejtor i Fondit Shëndetësor.
Akim Ali nga OBSH deklaroi se obeziteti është një problem i shëndetit publik, pasi 6 prej 10 personave të rritur janë me obozitet, si dhe 1 në 3 fëmijë kanë probleme me menaxhimin optimal të peshës.
“Nuk është e mjaftueshme të mendosh rreth obezitetit, është gjithashtu e rëndësishme të mendohet për faktorë të tjerë të rrezikut, pirja e duhanit, alkooli dhe niveli i aktivitetit fizik”, potencoi Akim Ali – Shef i Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Sot është Dita Botërore e Obezitetit. Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me OBSH-në realizojnë fushatë me sloganin “Rrethi i mbështetjes – Që pesha të bëhet më e lehtë, mos gjyko! Ndihmo”.
