Gazetare: Linda Ebibi Ademi
Edhe pse inspektime të jashtëzakonshme janë kryer në më shumë se gjysmën e 43 kompanive që prodhojnë kanabis për qëllime mjekësore, Ministria e Shëndetësisë nuk tregon se çfarë masash janë ndërmarrë ndaj tyre, përveç heqjes së licencave të 6 kompanive. Nga Ministria thonë se kontrollet e jashtëzakonshme janë ende në rrjedhë dhe për shkak të hetimeve, nuk mund të japin më shumë detaje.
“Kontrollet dhe inspektimet e kompanive që punojnë me kanabis për qëllime mjekësore vazhdojnë në mënyrë të vazhdueshme në koordinim me institucionet e tjera përkatëse. Deri tani, është kryer inspektim tek më shumë se gjysma e subjekteve juridike që ushtrojnë këtë aktivitet”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Më herët, ministri i Shëndetësisë Azir Aliu informoi se gjashtë kompanive që prodhojnë kanabis për qëllime mjekësore, licencat u janë marrë pasi janë konstatuar parregullsi gjatë ushtrimit të veprimtarisë, në kundërshtim me Ligjin për kontrollin e drogave narkotike dhe substancave psikotrope. Deri më tani, Aliu disa herë ka refuzuar të përgjigjet se cili ministër i shëndetësisë ua ka dhënë licencat kompanive.
Dyshimet për keqpërdorime me kanabisin për qëllime mjekësore nisën pasi në Serbi u sekuestruan 5 tonë marihuanë, që dyshohet se prejardhjen e kishin nga Maqedonia e Veriut. Pas këtij rasti, autoritetet në vend sekuestruan 40 tonë marihuanë nga kompani të licencuara për prodhimin e kanabisit për qëllime mjekësore, ndërsa më pas u ndërmorën inspektime të jashtëzakonshme. / Alsat.mk
The post Vazhdojnë inspektimet për kanabisin mjekësor, pa informacione të reja nga Ministria appeared first on Alsat.
