Salla sporti, pishina për not dhe bibliotekë. Të gjitha këto do të jenë në kampusin e ri të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup.

Po përgatitet terreni që më 7 mars të vendoset gurthemeli për ndërtimin e objektit të ri.

Rektori Bekim Fetaji thotë se ndërtimi parashihet të përfundojë brenda 4 viteve. Njoftoi se disa objekte ekzistuese do të rrënohen dhe në atë vend do të ngrihen objektet e reja.

“Universiteti ka përparuar shumë dhe tani me kampusin e ri, i cili do të ndërtohet në një hapësirë prej 22 mijë metra katror, dhe një hapësirë të brendshme e cila edhe neve na befasoi që në atë kohë, është diku 95 mijë 102 metra projektuese me gjithë enterierin me të gjitha katet e ndërtimit. Do të jenë ndërtesa të ndryshme disa prej tyre me lartësi 5 katëshe disa më të ulët”, tha Bekim Fetaji, rektor në UNT.

Fetaji deklaroi se ky objekt do të këtë kapacitet për 10 mijë studentë. Presin që të jetë një kampus më i dalluar në vend, me pamjen estetike por edhe me përmbajtje akademike.

“Projekti është i Qeverisë u aprovua diku më 3 shtator 2024 në shumë prej 34.5 milionë euro të cilët janë shpërndarë në 6 faza, kompania që do të fiton do t’i merr këto të holla në 6 faza të ndryshme, varësisht prej punëve të cilët do t’i realizon”, u shpreh Bekim Fetaji, rektor në UNT.

Ndryshe Universiteti “Nënë Tereza” është themeluar në vitin 2016. Fillimisht funksiononte në në objektin e Lidhjes së Sindikatave, ndërsa disa fakultete kanë qenë në objektin e shkollës fillore “Kongresi i Manastirit”.