Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, paralajmëroi një propozim-ligj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për evidencat në shëndetësi, që ka për qëllim digjitalizimin e plotë të sistemit shëndetësor dhe sigurimin e një mënyre moderne, të sigurt dhe të lidhur për mbajtjen e të dhënave shëndetësore. Me këtë pritet të përmirësohet cilësia e shërbimeve shëndetësore për pacientët në shtet. Propozim-ligji këto ditë do të publikohet në ENER.

“Kjo do të thotë se dokumentacioni mjekësor, udhëzimet për kontroll, recetat, raportet dhe regjistrat do të mbahen në mënyrë digjitale, ndërsa dokumentacioni në letër do të përdoret vetëm në raste të jashtëzakonshme si zgjidhje e përkohshme nëse sistemi ndërpritet. Një nga risitë kryesore është rregullimi i dosjes elektronike shëndetësore për çdo pacient në shtet, e cila do të jetë burimi qendror për të gjitha të dhënat shëndetësore të pacientit, nga kontrollet dhe rezultatet deri te udhëzimet, recetat dhe shërbimet e telemjekësisë. Me këtë mundësohet ndjekje më e mirë e gjendjes shëndetësore të pacientit dhe kujdes më efikas shëndetësor”, tha Azir Aliu, ministër i Shëndetësisë.