Muaj me radhë, ministri për transformim digjital, Stefan Andonovski, ka paralajmëruar se shumë shpejt do të aktivizohet sistemi “Roaming si në vend”, ku qytetarët, kur të shkojnë në vendet e Bashkimit Evropian, do të mund të flasin dhe përdorin internetin me çmime si në vendin e tyre. Komisioni Evropian ka propozuar hapjen e negociatave për përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në zonën evropiane “Roaming si në vend”, por vetëm pasi të harmonizohemi plotësisht me rregullativën evropiane për komunikimet elektronike dhe rregullat e roamingut që vlejnë në Bashkimin Evropian. Ministri Andonovski siguron se ndryshimet tashmë janë dërguar te Bashkimi Evropian.
“Në këtë periudhë, Bashkimi Evropian ka marrë tashmë ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për komunikimet elektronike, me të cilin ne harmonizohemi plotësisht me kërkesat e Bashkimit Evropian në pjesën e sigurisë, në pjesën e përdorimit të drejtë të roamingut, në pjesën e çmimeve, në pjesën e përcaktimit të çmimeve ndërkufitare, dhe pres që ky tekst i përcaktuar, të cilin ne tashmë e kemi miratuar në Qeveri dhe e kemi dërguar te Komisioni Evropian, pas marrjes së komenteve nga Komisioni Evropian, ne do ta dërgojmë në Kuvend dhe do ta miratojmë”, tha Stefan Andonovski – ministër për Transformim Digjital.
Andonovski thotë se pret që të jemi vendi i parë në rajon që do të përmbushë kriteret dhe shpreson që kjo të realizohet gjatë këtij viti.
“Do të jemi, siç e kemi premtuar edhe para 6-7 muajsh, vendi i parë nga rajoni që do të përmbushë kushtet për roaming si në vend dhe me këtë do të hyjmë në negociata me Komisionin Evropian. Ai do të jetë përfaqësuesi ynë para operatorëve evropianë të telekomit dhe me ta do të arrijmë marrëveshje. Unë pres që kjo të ndodhë gjatë vitit 2026”, u shpreh ministri për Transformim Digjital, Stefan Andonovski.
Maqedonia tashmë ka një marrëveshje rajonale për heqjen e roamingut në disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor, e cila është në fuqi që nga viti 2021.
