Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka reaguar ndaj raportimeve se Irani mund të ketë vendosur mina detare në Ngushtica e Hormuzit.
Përmes një postimi në rrjetin social Truth Social, Trump theksoi se Uashingtoni nuk ka konfirmim zyrtar se Irani ka ndërmarrë një veprim të tillë, por paralajmëroi se nëse kjo është e vërtetë, minat duhet të hiqen menjëherë.
“Nëse Irani ka vendosur ndonjë minë në Ngushticën e Hormuzit, dhe ne nuk kemi raportime se ata e kanë bërë këtë, ne duam që ato të hiqen MENJËHERË”, shkroi Trump.
Ai shtoi se nëse minat janë vendosur dhe nuk largohen menjëherë, pasojat ushtarake për Iranin do të jenë të papara më parë.
Sipas presidentit amerikan, heqja e mundshme e minave do të ishte një hap i rëndësishëm drejt uljes së tensioneve në këtë zonë strategjike, përmes së cilës kalon një pjesë e madhe e furnizimit global me naftë.
