
Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut sot pritet të vendosë nëse ligji që rregullon sistemin e monitorimit “Safe City” (Qyteti i Sigurt) është në përputhje me Kushtetutën. Në Gjykatën në fjalë janë ngritur katër raste në lidhje me ligjshmërinë e sistemit në fjalë.
Gjyqtarja kushtetuese, Ana Pavllovska Daneva, konfirmoi se institucioni ka pranuar tre iniciativa të ndryshme që kontestojnë këtë sistem:
Aleanca për Shqiptarët (krahu i Arben Taravarit);
Aleanca për Shqiptarët (krahu i Ziadin Selës);
Një iniciativë nga një student i Fakultetit Juridik.
Të tria këto kërkesa janë bashkuar në një lëndë të vetme, e cila do të shqyrtohet si pikë kryesore e rendit të ditës.
Sistemi “Safe City”, i cili parashikon monitorimin përmes kamerave të teknologjisë së lartë në vendet publike, ka ngritur shqetësime lidhur me mbrojtjen e të dhënave personale, të drejtën e privatësisë, si dhe lirinë e lëvizjes.
Vendimi i të mërkurës do të përcaktojë nëse kamerat do të vazhdojnë të vëzhgojnë rrugët e qytetit apo nëse ky sistem do të duhet të pezullohet ose ndryshohet rrënjësisht, megjithëse kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, në shkurt, pavarësisht pozicionit të tij si kryetar i një gjykate të lartë që ende nuk ka vendosur për ankesat që sfidojnë sistemin, nuk kurseu lëvdatat për projektin. Duke komentuar sistemin, i cili ka është në funksion vetëm prej pak më tepër se një muaji, Kostadinovski deklaroi se ai “ka treguar se mentaliteti ynë mund të ndryshojë shumë shpejt, domethënë, të përshtatet me rregullat”.
Kujtojmë se me ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtje, ky sistem në RMV hyri në fuqi më 1 shkurt 2026. Në fazën e parë realizohet në Shkup, Tetovë, Kumanovë dhe Korridoret 8 dhe 10 kurse ka plane të vendoset edhe në Strugë dhe Ohër. Ligji u ankimua në Gjykatën Kushtetuese nga opozita shqiptare duke cekur se ka shumë mangësi. Po ashtu, dhe qytetarët në një anketë online të Portalb.mk u shprehën të shqetësuar për mangësitë e sistemit.
