Nënkryetari i BDI-së Arjanit Hoxha përmes një reagimi në rrjetin social Facebook ka shprehur qendrimin se veprimet e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Darko Kostandinovski burojnë nga nënshtrimi i VLEN brenda koalicionit Qeverisës.

Më poshtë ju sjellim tekstin e plotë:

Pse “trimërohet” Darko Kostandinovski?

Sjellja dhe qasja e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostandinovski, ndaj gjuhës shqipe dhe shqiptarëve është kulminacion i gjithë asaj që po ndodh tashmë dy vite me qeverisjen VMRO-DPMNE dhe VLEN.

Shkurt e shqip: këtë qasje ndaj shqiptarëve po e shohim çdo ditë në institucionet shtetërore – në spitale, në qendra sociale, në polici, në ushtri, madje edhe në sektorin privat.

E gjithë kjo buron nga një arsye e vetme: prezenca e VLEN në Qeveri si të përzgjedhur të mandatarit dhe jo si përfaqësues të zgjedhur të shumicës së shqiptarëve.

Për ta thjeshtuar edhe më shumë: fakti që VLEN ka pranuar të jetë pjesë e koalicionit qeverisës si e nënshtruar dhe jo si partner i barabartë, po sjell pasoja të dukshme. Si rezultat, në shumë sfera të shoqërisë nuk ekziston më qasje institucionale e partneritetit ndaj shqiptarëve.

Këtë e kemi paralajmëruar shumë më herët dhe, për fat të keq, çdo ditë po dëshmohet se kemi pasur të drejtë.

Vendi ka nevojë urgjentisht për zgjedhje të parakohshme, në mënyrë që të rikthehet balanca e partneritetit mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Përndryshe, sa më gjatë që vazhdon nënshtrimi i VLEN ndaj VMRO-DPMNE, aq më të rënda do të jenë pasojat për shqiptarët dhe për vetë shtetin.