148 milion denarë, Mbështetje financiare për komunat dhe qendrat rajonale

Projektet të cilat i mbështet kjo drejtori kanë të bëjnë me infrastrukturën, mjedisin jetësor, pajisjen e Ndërmarrjeve me automjete të ndryshme dhe modernizimin e objekteve publike

Urim HASIPI

Tetovë, 12 mars – Ende është e hapur thirrja nga Byroja për Zhvillim për ndarjen e mjeteve financiare për mbështetjen e projekteve në kuadër të Programit për Zhvillim të Barabartë Rajonal për vitin 2026. Nga kjo drejtori thonë se kjo thirrje synon të inkurajojë komunat dhe rajonet planore që të propozojnë projekte konkrete zhvillimore që adresojnë nevojat reale të qytetarëve dhe kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të rajoneve.

Më tej, nga Byroja për Zhvillim njoftojnë se në kuadër të kësaj thirrje, qendrat e rajonit planor kanë mundësi të aplikojnë me projekte në tri masa kryesore edhe atë masa për zhvillimin e zonave urbane, masa për zhvillimin e zonave rurale dhe masa për zhvillimin e zonave me nevoja specifike zhvillimore.“Për secilën nga këto masa janë paraparë mjete në vlerë prej rreth 23 milionë denarë, gjë që zgjeron më tej mundësitë për financimin e iniciativave zhvillimore lokale dhe rajonale.

Ndërkohë, qendrat për zhvillimin e rajoneve planore mund të aplikojnë me projekte rajonale në kuadër të masës për financimin e projekteve për zhvillimin e rajoneve planore. Mjetet e parapara në kuadër të kësaj mase arrijnë shumën prej rreth 148 milion denarë. Shpërndarja e mjeteve bëhet sipas një metodologjie të përcaktuar, e cila ka për qëllim të sigurojë zhvillim më të balancuar rajonal. Sipas kësaj metodologjie, rajonet më pak të zhvilluara përfitojnë përqindje më të madhe të mjeteve, ndërsa rajonet më të zhvilluara përfitojnë një pjesë më të vogël. Llojet e projekteve me të cilat mund të aplikohet përfshijnë projekte infrastrukturore, përgatitjen e dokumentacionit teknik, furnizim me pajisje dhe të ngjashme”,deklaroi për Gazetën KOHA, Amet Imeri, drejtor i Byrosë për Zhvillim Rajonal.

Projektet të cilat i mbështet kjo drejtori kanë të bëjnë me infrastrukturën, mjedisin jetësor, pajisjen e ndërmarrjeve publike me automjete të ndryshme dhe modernizimin e objekteve publike.

“Në praktikë, pjesa më e madhe e projekteve të mbështetura lidhen me ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës rrugore lokale, përkatësisht asfaltimin dhe rehabilitimin e rrugëve, rikonstruksionin dhe modernizimin e objekteve publike, si dhe projekte nga fusha e mbrojtjes së mjedisit jetësor. Gjithashtu mbështeten projekte për furnizimin me automjete dhe pajisje të ndryshme teknike për nevojat e ndërmarrjeve publike komunale, me qëllim përmirësimin e cilësisë dhe efikasitetit të shërbimeve publike. Është e rëndësishme të theksohet se të gjitha prioritetet dhe fushat për financim janë të përcaktuara në Strategjinë për Zhvillim Rajonal, si dhe në Programin për zbatimin e saj, të cilat paraqesin dokumente kyçe strategjike për orientimin e zhvillimit të balancuar rajonal në vend”, thotë drejtori Imeri.

Për Qendrën e Rajonit Planor të Pollogut, nga Byroja për Zhvillim Rajonal janë ndarë 9 milion denarë. “Sa i përket Rajoni planor të Pollogut, pjesëmarrja e tij në shpërndarjen e mjeteve për financimin e projekteve për zhvillimin e rajoneve planore, si rajoni i dytë më i zhvilluar në shtet në bazë të Vendimit për klasifikim e rajoneve planore për periudhën 2024 – 2028, është 11 për qind, ose konkretisht për vitin 2026 për këtë rajon janë siguruar mjete në vlerë rreth 9 milionë denarë. Projekte me të cilat mund të aplikojnë konkretisht Qendrat për zhvillimin e rajoneve planore përcaktohen përmes listës prioritare të projekteve të rajonit planor, e cila miratohet nga Këshilli për zhvillim të rajonit planor”, theksoi Imeri.

Sipas rregullores në Këshillin për zhvillim të rajonit planor marrin pjesë kryetarët e të gjitha komunave të rajonit, të cilët së bashku përcaktojnë prioritetet zhvillimore të rajonit. Ndërkaq, para përcaktimit të listës prioritare zhvillohet edhe një proces i forumeve rajonale, përmes të cilave sigurohet pjesëmarrja aktive e qytetarëve dhe aktorëve të ndryshëm shoqërorë.

“Në këtë proces përfshihen përfaqësues nga sektori civil, sektori privat, institucionet publike, institucionet arsimore, OJQ-të dhe palë të tjera të interesuara. Në këtë mënyrë sigurohet një proces transparent dhe gjithëpërfshirës, ku projektet e propozuara pasqyrojnë nevojat reale dhe prioritetet zhvillimore të rajonit. Byroja për Zhvillim Rajonal vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në promovimin dhe mbështetjen e zhvillimit të balancuar rajonal në vend, përmes financimit të projekteve të ndryshme zhvillimore që realizohen në bashkëpunim të ngushtë me qendrat për zhvillim të rajoneve planore dhe me komunat”, është shprehur Imeri. (koha.mk)