Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Irani ishte kërcënim për SHBA-në, si përgjigje ndaj dorëheqjes se drejtorit të tij të antiterrorizmit, Joe Kent për shkak të luftës ndaj Iranit.

Gjatë një takimi në Zyrën Ovale të martën me kryeministrin e Irlandës, Micheal Martin, Trumpi, ka thënë se gjithmonë kishte menduar që Kent ishte një njeri i dobët në çështjet e sigurisë. 

“E lexova deklaratën e tij. Gjithmonë kam menduar se ishte një djalë i mirë, por gjithmonë kam menduar se ishte i dobët në siguri, shumë i dobët në siguri”.

“Nuk e njihja mirë… Por kur lexova deklaratën e tij kuptova se është mirë që ai është larguar, sepse tha se Irani nuk ishte një kërcënim. Irani ishte një kërcënim, çdo vend e kuptoi se çfarë kërcënimi ishte Irani”, ka shtuar Trumpi.

Në letrën e tij të dorëheqjes, Kent ka thënë se nuk mund ta mbështeste luftën ndaj Iranit dhe se Irani nuk përbënte kërcënim të menjëhershëm.

Kent po ashtu ka thënë se SHBA-ja ishte shtyrë nga Izraeli për ta nisur luftën teksa i ka kërkuar Trumpit që “të ndryshojë kurs”.