Gjykata Themelore në Tetovë ka vendosur në favor të Arben Taravari, duke e njohur atë si kryetar legjitim të Aleanca për Shqiptarët, pas një procesi gjyqësor që ka zgjatur që nga viti 2022.
Vendimi vjen pas një sage të gjatë ligjore, gjatë së cilës lënda është kthyer dy herë për rishqyrtim dhe është trajtuar tre herë në gjykatën themelore – një situatë që, sipas palës kundërshtare, përbën precedent.
Menjëherë pas shpalljes së vendimit, ka reaguar krahu i udhëhequr nga Ziadin Sela, i cili e cilëson vendimin si politik dhe të ndikuar nga një sistem i kapur.
Në reagimin e tyre thuhet se vendimi “vetëm konfirmon atë që është thënë vazhdimisht”, duke akuzuar Taravarin si “shërbëtor të sistemit” që, sipas tyre, vepron kundër interesave të shqiptarëve dhe vetë partisë.
Ata nënvizojnë se procesi është zvarritur për më shumë se dy vite dhe se vendimet e mëparshme të së njëjtës gjykatë janë ndryshuar në mënyrë të pashpjegueshme. Po ashtu, theksohet se në fazën përfundimtare është bërë ndryshim i gjykatësit, gjë që sipas tyre ka ndikuar në rezultatin final.
“Vendimi gjyqësor është politik dhe përbën atentat ndaj një partie shqiptare që ka qenë faktor i rëndësishëm në skenën politike,” thuhet në reagim.
Nga ky krah paralajmërohet se vendimi do të ankimohet në Gjykatën e Apelit dhe se do të shfrytëzohen të gjitha mjetet ligjore për ta kundërshtuar atë.
Gjithashtu, ata shprehin shqetësimin se ky vendim mund të pasohet me “ribrendim dhe zhdukje të emrit të Aleancës për Shqiptarët”, duke e cilësuar këtë si qëllim të hershëm të procesit.
Pavarësisht zhvillimeve, përfaqësuesit e këtij krahu deklarojnë se nuk do të tërhiqen nga, siç e quajnë ata, “beteja për ruajtjen e partisë dhe idealeve të saj”.
Procesi në fjalë pritet të vazhdojë në instancat më të larta gjyqësore, ndërsa përplasjet brenda Aleanca për Shqiptarët mbeten një nga zhvillimet më të rëndësishme politike në vend.
