Shefi i SPB Shtip dhe i DPB Koçan, një inspektor kryesor për krim ndërkufitar, inspektorë për drogë dhe armë, për krim të përgjithshëm, udhëheqës turnesh, si dhe një përgjegjës rajoni në Koçan Këta janë profilet e policëve që do të ulen në bankën e të akuzuarve më 1 prill, kur nis gjykimi për mosveprimin e policisë në diskotekën “Puls” në Koçan.
Aktakuza, të cilën BIRN e ka siguruar nga Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, e vendos përgjegjësinë mbi 13 policë, pasi ata nuk kanë vepruar sipas planit të miratuar për kontroll aksionar në diskotekë, në natën fatale të 16 marsit 2025.
Plani ishte miratuar dy ditë para tragjedisë, më 14 mars. Prokurorja Ivana Aleksova Trajçeva i ngarkon policët me përgjegjësi, duke theksuar se plani ishte miratuar pa u kryer të gjitha kontrollet e nevojshme që janë në kompetencë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
“Dy nga të akuzuarit e kanë përgatitur planin mbi bazën e planeve të mëparshme, pa ndryshuar asnjë pikë që do të përmirësonte efikasitetin e veprimit”, thuhet në aktakuzë.
Policë nga Probishtipi dhe Koçani ishin dërguar rreth orës 02:00 pas mesnate për të kryer kontrollin, ndërsa disa nga të akuzuarit nuk u dhanë “udhëzime konkrete se si të vepronin brenda kabaretit ‘Puls’”.
Nëntë prej tyre hynë në objekt rreth dhjetë minuta para ndezjes së piroteknikës, në orën 02:22. Ata, së bashku me kolegun e tyre polic që humbi jetën në zjarr, Toshe Todorovski, akuzohen se nuk kanë ndërmarrë masa për të zbuluar shkeljet dhe veprat penale për të cilat janë përgjegjës. Me fjalë të tjera, nuk e kanë parandaluar aktivizimin e piroteknikës gjatë kontrollit.
Sipas aktakuzës, policët nuk kanë bërë “vlerësim dhe menaxhim të rrezikut”, siç kërkohet nga procedurat standarde operative në raste kur ekziston rrezik për rendin dhe sigurinë publike dhe kur përfshihet një prani më e madhe e policisë.
Numri i madh i viktimave është ndikuar ndjeshëm nga “mbipopullimi i objektit me vizitorë që përpiqeshin të dilnin përmes shtyrjes masive, duke shkaktuar rënien e tyre në korridor”.
Sipas aktakuzës, policët e akuzuar nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për të mundësuar një dalje më të shpejtë dhe më të sigurt të personave të pranishëm në diskotekë, duke kontribuar kështu në vdekjen e 63 personave dhe plagosjen e 223 të tjerëve.
Gjatë procedurës, me kërkesë të prokurorisë, gjykata u ka marrë pasaportat, u ka ndaluar largimin nga vendbanimi, kontaktet me persona të caktuar, u ka caktuar detyrim paraqitjeje të rregullt te një zyrtar gjyqësor dhe ndalim për aktivitete që lidhen me veprën penale.
Policët akuzohen për të njëjtën vepër penale si edhe 35 persona të tjerë në rastin e madh që po gjykohet në gjykatën në Idrizovë. Ata përballen me dënime me burg nga 3 deri në 20 vjet. Çështjen do ta gjykojë gjykatësja Fanka Jançuleva-Mihajllovska.
Njëri nga këta 13 policë është i akuzuar edhe në një rast tjetër së bashku me dy kolegë, pasi shkeljet për “Puls” i kanë regjistruar në një kompani joaktive.
Përveç këtyre dy aktakuzave, më 25 mars nis edhe një tjetër proces gjyqësor për shpërdorim të detyrës dhe autorizimeve ndaj nëntë policëve. Edhe pse diskoteka nuk kishte vende të mjaftueshme parkimi dhe më herët ishin raportuar prishje të rendit dhe qetësisë publike, të akuzuarit kanë dhënë pëlqimin që Ministria e Ekonomisë t’i lëshojë licencë objektit “Puls”.
Burimi: prizma.mk
